Sekuestrohen pasuritë e një 45-vjeçari, ndër to hotele, vila, biznese dhe automjete luksoze! Ja çfarë dyshohet
Policia e Gjirokastrës ka sekuestruar një sërë pasurish në pronësi të 45-vjeçarit Katan Baho, i njohur edhe me emrin Sokrat Baho, si dhe të familjarëve të tij, pas dyshimeve se janë përfituar përmes veprimtarisë kriminale në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike.
Në kuadër të hetimeve pasurore dhe luftës kundër krimit të organizuar, uniformat blu kanë vënë në sekuestro:
- Një lokal bar-kafe dhe një hotel katërkatësh në lagjen “18 Shtatori”, Gjirokastër;
- Dy ndërtesa dykatëshe (njëra me papafingo) në fshatin Valare, me sipërfaqe ndërtimi përkatësisht 131.1 m² dhe 235 m²;
- Një truall me sipërfaqe 1216 m² dhe një ndërtesë (servis makinash) me sipërfaqe ndërtimi 276 m², në lagjen “Grehot”;
- Një ndërtesë (lokal) me sipërfaqe 30 m², po në lagjen “Grehot”;
- Një automjet tip “Audi Q7”, si dhe 8 automjete të tjera në pronësi të subjektit dhe të familjarëve të tij, për të cilat vijon puna për identifikimin dhe sekuestrimin.
Njoftimi i policisë
DVP Gjirokastër/Finalizohet operacioni policor i koduar “Center”.
Vihet sekuestro mbi pasuri (ndërtesa, biznese dhe automjete) të cilat dyshohet se janë përfituar nga veprimtaria kriminale e shtetasit K. B., alias S. B., 45 vjeç, banues në fshatin Valare, Gjirokastër, në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike.
Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me Agjencinë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, në Ministrinë e Brendshme, në kuadër të një procedimi pasuror të kryer në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, ka vënë sekuestro mbi pasuri të shtetasit K. B., alias S. B., dhe të familjarëve të tij, i dyshuar për pjesëmarrje në një grup me veprimtari të trafikimit të lëndëve narkotike. Konkretisht janë sekuestruar:
-Lokal bar-kafe dhe hotel katërkatësh, në lagjen “18 shtatori”, Gjirokastër;
-Pasuri e llojit ndërtesë dykatëshe+papafingo, me sipërfaqe 393.3 m2, me sipërfaqe ndërtimi 131.1 m2, në fshatin Valare, Gjirokastër;
-Pasuri e llojit ndërtesë dykatëshe me sipërfaqe 235 m2 ndërtesë, në fshatin Valare, Gjirokastër;
-Pasuri e llojit truall (servis makinash), me sipërfaqe 1216 m2, me sipërfaqe ndërtimi 276 m2, në lagjen “Grehot”, Gjirokastër;
-Pasuri e llojit ndërtesë (lokal) me sipërfaqe 30 m2, në lagjen “Grehot”, Gjirokastër;
-1 automjet tip “Audi Q7”.
Gjithashtu janë vën në sekuestro dhe 8 automjete, në pronësi të 45-vjeçarit dhe të familjarëve të tij. Punohet për gjetjen e tyre.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.