Wed, Jun 25, 2025

Spaç 1973 – Martirët e Lirisë”, rebelimi kulturor Vepra kundër harresës

  • PublishedJune 25, 2025

NGA MUJË BUÇPAPAJ 

“Në një vend ku historia shkruhet ende nga fitimtarët e së djeshmes, ky dokumentar rikthen zërat e humbur – jo për hakmarrje, por për kujtesë. Dokumentari ‘Spaç 1973 – Martirët e Lirisë’, i autorëve Besim Ndregjoni dhe Dash Kaloçi, është një akt rebelimi kulturor kundër harresës”.

Më 17 qershor 2025, në kinema “Millenium” në Tiranë, u prezantua dokumentari tronditës, “Spaç 1973 – Martirët e Lirisë”, i realizuar nga dr. Besim Ndregjoni dhe Dashnor Kaloçi. Kjo premierë nuk ishte thjesht një film dokumentar, por një dëshmi për një plagë të hapur, një dritë për të vështruar rishtazi ferrin e komunizmit shqiptar të shekullit XX, një klithmë e atyre që vdiqën, por edhe të të mbijetuarve kundër heshtjes që e rrethon ende atë ferr. Ky dokumentar është një akt rebelimi kulturor kundër harresës. Ai ngrihet si një monument për ata që nuk patën varr, por që mbeten të gjallë në ndërgjegjen tonë, nëse nuk e kemi shitur edhe atë.

2. Në maj të vitit 1973, në kampin e Spaçit – një nga vendet më të errëta të diktaturës shqiptare – ndodhi një akt i jashtëzakonshëm: të burgosurit politikë, edhe pse të rrahur, të keqtrajtuar deri vdekje, të zhveshur nga çdo të drejtë njerëzore, të mbikëqyrur ditë e natë, ngritën krye. Flamuri kombëtar pa simbolin komunist, u ngrit mbi telat me gjemba. Për tri ditë rresht, fjala “liri” guxoi të tingëllonte atje ku nuk lejohej as frymëmarrja. Shteti ndërhyri mizorisht, në një betejë të pabarabartë me të burgosurit politikë. Revolta përfundoi me gjak. Katër burra u pushkatuan. Të tjerë u dënuan me burgime të reja përmes procesesh farsë. Por, historia qëndroi. Dhe ky dokumentar na e kujton atë jo si datë kalendari, por si moment për të rikthyer dinjitetin njerëzor.

3. Dokumentari “Spaç 1973 – Martirët e Lirisë” është ndërtuar mbi tri shtylla të forta: kujtesën e gjallë, dokumentimin historik dhe ndërgjegjen njerëzore. Skenari i thelluar dhe i bazuar në arkiva i Dashnor Kaloçit, rrëfimet rrënqethëse të të mbijetuarve dhe montazhi i ngjeshur emocional i Gjergj Panos e bëjnë këtë film një dokument të domosdoshëm për këdo që kërkon të kuptojë realisht çfarë ishte diktatura në Shqipëri. Ai nuk synon të emocionojë me efekte artificiale, por të tronditë me të vërtetën. Zëri i Genc Ymerajt nuk flet me patetizëm, por me një solemnitet që të ndal frymën. Është zëri i atyre që nuk e patën kurrë luksin të flasin.

4. Përmes rrëfimeve të njerëzve si Engjëllushe Daja apo ish-komandanti Pjetër Koka, filmi shpalos një mozaik tragjik të njeriut të thyer, të njeriut që kërkon eshtrat e një të dashuri, por edhe të atij që e përjetoi sistemin nga brenda. Kjo përfshirje e perspektivave të ndryshme e kthen dokumentarin në një akt të rrallë dhe të guximshëm ballafaqimi me të shkuarën.

Në një vend ku historia shkruhet ende nga fitimtarët e së djeshmes, ky dokumentar rikthen zërat e humbur jo për hakmarrje, por për kujtesë.

5. Në fjalën e tij gjatë premierës, dr. Besim Ndregjoni e quajti Spaçin “Aushvici shqiptar”. Dhe ka të drejtë. Por, ndryshe nga Evropa që ndërtoi muze, kërkoi falje, hapi dosje dhe ndërtoi edukim mbi të kaluarën, Shqipëria sot akoma ngurron të njohë krimin. Akoma mban të klasifikuara dosje. Akoma nuk përfshin në kurrikulën e shkollave krimet e diktaturës komuniste siç ka bërë SHBA. Shqipëria akoma ngatërron drejtësinë me heshtjen. Ky dokumentar i autorit dr. Besim Ndregjoni, është më shumë se një realizim artistik – është një akt drejtësie përmes kujtesës. Ai i kujton shoqërisë shqiptare se pa ballafaqim të ndershëm me të kaluarën, çdo demokraci mbetet e përkohshme.

6. Për mua, ky dokumentar është më shumë se një histori kombëtare – është një plagë personale. Në Spaç ka vuajtur daja im Isuf Meshi, njëri ndër qindra të burgosur të ndërgjegjes, një ndër ata që diktatura nuk arriti t’i përulë. Nga fisi im, Buçpapaj të Tropojës, kam pasur të afërm të tjerë të burgosur, që mbetën për vite me radhë të harruar, të nëpërkëmbur në Spaç, por të pathyer. Duke qenë vetë një ndër anëtarët e lëvizjes studentore të dhjetorit 1990, që solli rrëzimin e diktaturës dhe themelimin e Partisë Demokratike, e kam jetuar personalisht tranzicionin shqiptar mes idealit dhe gjakut, mes shpresës dhe zhgënjimit. Dhe e ndiej më shumë se kurrë se ky dokumentar është një thirrje jo vetëm për të kujtuar, por për të vepruar – për të institucionalizuar të vërtetën dhe për të mos lejuar që Shqipëria të harrojë, ku ka rënë dhe kush i vuri këmbën në fyt.

7. Në vende si Polonia apo Çekia etj., dokumentarët për krimet e komunizmit janë pjesë e kurrikulës arsimore. Të mbijetuarit shkojnë në shkolla dhe flasin për atë që përjetuan. Pushteti nuk i ka harruar, por i ka kthyer në gurë themeli të vetëdijes kombëtare. Edhe ne duhet të bëjmë të njëjtën gjë. Spaçi duhet të shpallet muze kombëtar, të gjitha dosjet e diktaturës duhet të deklasifikohen dhe arsimi duhet të përfshijë historinë e vërtetë të komunizmit.

8. “Spaç 1973 – Martirët e Lirisë” është një dokumentar që nuk përfundon me mbarimin e filmit. Ai nis pikërisht atëherë, në ndërgjegjen e secilit prej nesh. Nëse nuk e kujtojmë Spaçin, nëse nuk mësojmë prej tij, nëse nuk u japim zë dëshmorëve të lirisë, atëherë nuk jemi të denjë për lirinë që kemi.

/Gazeta Panorama