Tentoi të grabiste një vilë, i riu shqiptar vritet me armë zjarri! Një tjetër plagoset, ndërsa një i tretë shpallet në kërkim
Një 25-vjeçar shqiptar është gjetur i vdekur pas dy ditësh kërkimesh në zonën e San Severino di Centola, në provincën e Salernos, Itali. I riu ishte shpallur në kërkim pas një tentative për vjedhje në një banesë në Foria di Centola, mbrëmjen e së dielës.
Sipas mediave italiane, dyshohet se i riu u qëllua me armë zjarri nga pronari i shtëpisë, i cili e kapi në flagrancë gjatë përpjekjes për grabitje. Pronari është aktualisht nën hetim për përdorim të armës së zjarrit, ndërsa autoritetet po hetojnë nëse reagimi i tij ka qenë në përputhje me rregullat e vetëmbrojtjes.
Nga ngjarja mbeti i plagosur edhe një tjetër person i përfshirë në tentativën për grabitje, i cili ndodhet në një spital në Napoli nën mbikëqyrje policore. Ndërkohë, një person i tretë është ende në arrati dhe policia italiane vijon kërkimet për kapjen e tij.
Gjatë grabitjes, është raportuar se është marrë edhe një armë zjarri që ishte në pronësi të ligjshme të banorit.