E papritur! Anna Wintour largohet nga drejtimi i “Vogue” pas më shumë se tre dekadash
Pas më shumë se 35 vitesh në krye të Vogue, Anna Wintour raportohet se do të largohet nga posti i saj si kryeredaktore e revistës ikonë të modës. Lajmi u bë i ditur gjatë një mbledhjeje të stafit të mërkurën, ndërsa disa media amerikane e konfirmuan të enjten.
Wintour, 75 vjeç, e cila ka udhëhequr Vogue që prej vitit 1988, do të vijojë të mbajë rolet e saj si drejtoreshë globale e përmbajtjes në Condé Nast dhe drejtuese editoriale globale e Vogue. Përfaqësues të revistës nuk kanë dhënë ende një koment zyrtar.
Gazetarja britanike është prej vitesh një mbështetëse aktive e kandidatëve demokratë. Në mars të vitit të kaluar, ajo ndihmoi në organizimin e një fushate mbledhjeje fondesh prej 25 milionë dollarësh në Nju Jork për rizgjedhjen e Presidentit Biden.
Presidenti amerikan e nderoi Wintour me Medaljen Presidenciale të Lirisë në janar, vetëm pak javë para se të largohej nga Shtëpia e Bardhë. Ajo ka qenë gjithashtu pjesë e darkave shtetërore, si ajo e vitit 2022 për presidentin francez Emmanuel Macron, ku u shfaq me syzet e saj karakteristike.
Në vitin 2016, Vogue bëri historinë duke publikuar për herë të parë një mbështetje politike, në favor të Hillary Clinton.
Megjithëse e lidhur ngushtë me politikën demokrate, Wintour u takua muajin e kaluar me shefen e stafit të Shtëpisë së Bardhë, Susie Wiles, për të diskutuar mbi ndikimin e tarifave të propozuara nga Donald Trump në industrinë e modës.