Thu, Jun 26, 2025

Letrat e panjohura të Nolit me Enverin për anëtarësimin Shqipërisë në OKB në ’46-ën: Zyrtarë të Departamentit të Shtetit janë në pritje për heshtjen tuaj të gjatë, në lidhje me çështjet midis SHBA-ve dhe…

  • PublishedJune 26, 2025

Letrat e panjohura të Nolit me Enverin për anëtarësimin Shqipërisë në OKB në ’46-ën: Zyrtarë të Departamentit të Shtetit janë në pritje për heshtjen tuaj të gjatë, në lidhje me çështjet midis SHBA-ve dhe…

Telegram gjeneral-kolonel Enver Hoxhës, Dr. Omer Nishanit

                                          Shkurt, 1946
Në emër të mbledhjes së përvitshme të kishave Orthodokse shqiptare në Amerikë, të mbajtur më 24 shkurt në Boston, unë dëshiroj t’ju dërgoj përshëndetjet më të përzemërta dhe t’ju shpreh admirimin tonë, për punën e shkëlqyer të rindërtimit që po bëni.

                                         Peshkop Fan S. Noli

                      Telegrami i Fan Nolit për Hysni Kapon

                                         21 mars 1946

                   Hysni Kapos

            Legata Shqiptare, Beograd-Jugosllavi

Ju lutem transmetojini kryeministrit Hoxha mesazhin e mëposhtëm: nga bisedimet me zyrtarët e Departamentit të Shtetit, kuptoj se pranimi i traktateve të përfunduara nga regjimet e mëparshme është kusht i domosdoshëm, për njohjen e qeverisë shqiptare nga Shtetet e Bashkuara. Më besoni, çdo vonesë tani do të paragjykojë më tej rastin tonë, në një kohë shumë kritike.

Lidhur me diskutimin së afërmi të kërkesës së Shqipërisë për anëtarësim në UNO dhe agjitacionin intensiv grek mbi Epirin e Veriut, unë sugjeroj pranim të menjëhershëm të traktateve në fjalë. Kjo do të sjellë automatikisht që njohja nga Amerika të spostojë pengesat për në UNO dhe t’i japë Shteteve të Bashkuara mundësinë të mbrojë më me sukses integritetin territorial të Shqipërisë.

                                     Peshkop Fan Noli

                  Mesazhi i Fan Nolit për Enver Hoxhën             

                                             25.3.1946

Misioni diplomatik bullgar, ka që nga tetori i kaluar që po funksionon në Uashington, megjithëse qeveria bullgare nuk është njohur zyrtarisht prej SHBA-ve. Në rast se vonohet edhe më njohja e Shqipërisë, sugjeroj të përdorni këtë precedent, për të kërkuar viza për një mision të njëllojtë këtu dhe për arsye specifike që të paraqit çështjen shqiptare para UNO-s.

                                            Peshkop Fan Noli 

                         Mesazhi i Fan Nolit për Enver Hoxhën            

                                               28/III/1946

Në një shënim “New York Herald Tribune” më 23 mars, shkruan se përkundër kërkesës së Shqipërisë të paraqitur nga fqinji i saj jugosllav, i ndihmuar nga Çekosllovakia dhe i shtyrë nga sovjetët, Phlip Noel Baker, ministër Shteti Britanik, kapi rastin në mbledhjen e këshillit të UNRRA-s, për të lajmëruar delegacionin sovjetik në këtë mënyrë bruske, që Këshilli i Sigurimit, nuk do të shqyrtojë një kërkesë të njëllojtë për anëtarësim në UNO, sepse ka punë të tjera me rëndësi dhe probabilisht nuk do të veprojë deri në shtator; Në lidhje me këtë, pëshpëritet se Anglia do ta tërheqë njohjen e dhënë më parë Shqipërisë.

                                       Peshkop Fan Noli

                         Mesazhi i Fan Nolit për Enver Hoxhën            

                                              1.4.1946

Me gjithë kërkesat tona të përsëritura, Komiteti për Marrëdhëniet e Jashtme i Senatit Amerikan, votoi për një rezolucion, që t’i akordohet Shqipëria e Jugut, Greqisë. Ne kemi prirje të besojmë se kjo është e lidhur me refuzimin nga Shqipëria në Atlantik City, përpara Këshillit të UNRRA-s dhe në Uashington.

                        Mesazhi i Fan Nolit për Enver Hoxhën

                                              16/IV/1946

Nga bashkë-fjalimet me zyrtarë të Sekretariatit të Kombeve të Bashkuara (UNO) në New York në lidhje për paraqitjen për diskutim të anëtarësisë së Shqipërisë përpara Këshillit të Sigurimit, që do të bëhet nga fundi i majit ose më 2 qershor 1946: Si mbas bisedës, pranimi i anëtarësisë do të efektohet në Asamblenë e Përgjithshme, nga rekomandimi që do të bëjë Këshilli i Sigurimit. Ky rekomandim do bërë me votë afirmative nga shtatë anëtarë të Këshillit të Sigurimit duke përfshirë pesë anëtarët permanentë; Shtetet e Bashkuara (3/54), Britaninë e Madhe, Bashkimin Sovjetik, Francën dhe Kinën.

Një delegacion shqiptar pranë Sekretariatit të Kombeve të Bashkuara në New York, do ta ndihmonte me të tepërt. Lutem bëni viza te ministri i Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe më lajmëroni përfundimet e arritura. Shtoj me keqardhje se zyrtarë të Departamentit të Shtetit, janë në pritje për (4/50) heshtjen tuaj të gjatë në lidhje me çështje midis Shteteve të Bashkuara dhe regjimit të mëparshëm të Shqipërisë. Në disa qarqe, heshtja juaj prej shumë muajsh, interpretohet si një akt mosbesimi (defiance).

Ata ankohen gjithashtu se anëtarë të ndryshëm të misionit amerikan, janë ndaluar të lëvizin dhe kjo me fjalë të tjera konsiderohet si kundërshtim. Në (5/56) lidhje me këtë flitet që si protestë për këto masa, misioni diplomatik amerikan që ndodhet në Tiranë, do të tërhiqet. Ju sugjeroj përçapje të menjëhershme për të ndrequr situatën dhe për të përmirësuar relatat me Shtetet e Bashkuara, të cilat unë i konsideroj të mira, për zgjidhjen e problemeve tuaja ndërkombëtare.

Peshkop Fan Noli   

Mesazhi i Fan Nolit për Enver Hoxhën

Nga bashkëfjalimi me kryetarin e delegacionit britanik në New York, unë nxjerr se në qoftë se mosmarrëveshjet do të rregullohen dhe relatat diplomatike do të rifillojnë, qeveria britanike do ta përkrahë pranimin e Shqipërisë në UNO. Kini mirësinë të më jepni informata të hollësishme mi këtë gjë.
Peshkop Fan Noli

 Telegrami i Fan Nolit për Enver Hoxhën

Dy shqiptarë, të quajtur dr. Ali Kuçi dhe Stavro Skëndi, kanë ardhur kohën e fundit në Shtetet e Bashkuara. Lutem na këshilloni mi besimin dhe besnikërinë ndaj këtyre personave. Me të arritur këtu, dr. Ali Kuçi mori lidhje me grupin e gangsterëve të “Shqipërisë së Lirë”. Shqiptarët e këtushëm ankohen për taksa të rënda që janë vënë për të gjitha rrobat e përdorura që dërgohen prej Shteteve të Bashkuara në të afërmit dhe në miqtë e tyre në Shqipëri. Lutem jini në dijeni, se po të jetë kështu, dërgesa e teshave prej këtej do të pakësohet ose do të ndalohet krejtësisht meqenëse asnjeri prej këtej nuk dëshiron të krijojë vështirësira financiare për të afërmit dhe miqtë e tij në Shqipëri. Kjo është një çështje vitale. Kini mirësinë të na informoni mi gjendjen ekzakte.

Na telegrafoni me anë të ‘Dielli’, 30 Huntigton Are Boston.

                Peshkop Fan Noli

 Mesazhi i Fan Nolit për Enver Hoxhën

Kryeministrit Enver Hoxha

                                           Tiranë Shqipëri, 1946

Lutemi më jepni informata të hollësishme mbi dr. Ali Kuçin ish- redaktor i gazetës fashiste “Fascio” e Korçës, i cili mbrijti tash vonë në Boston dhe u caktua si kryeredaktor i gazetës “Liria” me konvencion të ashtuquajturës organizatë të Shqipërisë së Lirë.

                                  Peshkop Fan Noli

      Pranë Kishës Orthodhokse Shqiptare, New York City

             Mesazhi i Fan Nolit për Enver Hoxhën

                 Kryeministrit Enver Hoxha                            

                                    Tiranë Shqipëri, 1946

Pata një bisedim me kryetarin vepronjës të delegacionit të Shteteve të Bashkuara, zotin Herschel Johnson, më parë ambasador në Suedi. Pyetjes sime bruske në qoftë se qeveria e Shteteve të Bashkuara do të mbështesë kërkesën shqiptare për anëtarësi në Kombet e Bashkuara ay i dha një përgjigje evazive dhe që nuk të angazhohen. Gjatë zhvillimit të bisedimeve, ay përmendi reputacionin e traktateve nga qeveria juaj, e cila më dha rastin mua të shpjegoj pikëpamjen tuaj në bazë të rezolucionit të dalë nga Kongresi i Përmetit.

Në fund unë tërhoqa vërejtjen e tij mbi absurditetin e pretendimeve greke mbi Epirin e Veriut. Unë përfitoj nga ky rast t’ju kujtoj përsëri në qoftë se ju jeni apo jo të përgatitur të merrni në të ardhmen e afërme eshtrat e Faik Konicës me qenë se ay mbahet në qeli këtu, shpenzimet e paguara… Lutemi përgjigjuni mbi këtë pikë para 4 korrikut, kur mblidhet Kuvendi vjetor i Vatrës. Përgjigja e juaj do t’i japë mundësi Kuvendit të vendosë për një rrugë, ose për tjetrën.

               Peshkop Fan Noli 

 Mesazh i Enver Hoxhës për Fan Nolin

                                            Prill 1946
Zotit Fan Noli

Kam marrë mesazhet dhe i çmoj përse tepërmi përpjekjet tuaja dhe të gjithë shqiptarëve në Amerikë. Kujdesi dhe dëshira jonë ka qenë dhe vazhdon të jetë forcimi i marrëdhënieve të mira dhe i miqësisë me të gjithë aleatët e mëdhenj. Me popullin amerikan na lidh një miqësi e vjetër. Ne kemi dashur dhe dëshirojmë ta forcojmë këtë miqësi, në baza të shëndosha e të sinqerta.

Përpjekjet tona për të marrë kontakt me vëllezërit tanë në Amerikë dhe për t’i bërë të njohur opinionit amerikan, luftën heroike të vendit tonë, qëndrimin tonë të patundur për kauzën aleate, na janë refuzuar në mënyra të ndryshme, por, me gjithë pengesat e mëdha që na janë bërë nga ana e funksionarëve amerikanë në Shqipëri, kemi shpresuar se çështja jonë do të zgjidhej në mënyrë të kënaqshme për të dyja vendet.

Kondita e njohjes së qeverisë sonë, e vënë nga qeveria e Shteteve të Bashkuara, na ka habitur dhe hidhëruar pse këtë e konsiderojmë, si një mohim të sovranitetit dhe të vetëvendosjes së popullit tonë për të cilat populli shqiptar derdhi kaq gjak. Vendimet e Kongresit të Përmetit, të bazuara në principin e vetëvendosjes, na urdhërojnë prishjen e të gjitha traktateve të konkluduara me shtetet e huaja nga qeveritë e mëparshme antipopullore dhe nënshkrimin e traktateve të reja në interesin e kombit tonë.

Kjo është një e drejtë elementare e popullit shqiptar, i shtypur nga regjimet tiranike, që luftoi për të fituar çdo të drejtë dhe çdo liri dhe që do të rrojë indipendent e sovran në gjirin e kombeve të bashkuara dhe do të ecë kryelartë me frymën e re ndërkombëtare. Porsa u përket traktateve që ekzistojnë me Shtetet e Bashkuara, ne kurdoherë kemi qenë dhe jemi të disponuar t’i rishikojmë, t’i shqyrtojmë dhe në frymë miqësore dhe pariteti të nënshkruajmë traktate të reja në interesin e të dy vendeve tona, pasi të njihet qeveria jonë.

Një qëndrim i tillë i drejtë i popullit shqiptar dhe i qeverisë së tij duhet të çmohet jo si obstruksion nga ana jonë, por si një çështje parimi nga më demokratiket. Nga ana tjetër, nga zgjidhja e drejtë e këtij problemi, ne kemi bindjen se do të sigurohet një miqësi dhe marrëdhënie të mira me baza të shëndosha dhe të sinqerta në mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara. Memorie.al Nga Alma Mile

 

                            Gjeneral-kolonel

                             Enver Hoxha