Thu, Jun 26, 2025

Ligji për Sportin, Zhupa “thumbon” socialistët: Keni marrë konsultime dhe ekspertizë vetëm nga Fidel Ylli

  • PublishedJune 26, 2025

Ligji për Sportin, Zhupa “thumbon” socialistët: Keni marrë konsultime dhe ekspertizë vetëm nga Fidel Ylli

Në seancën plenare të sotme, deputetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa ngriti kritika të forta ndaj projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin ‘Për Sportin’”, duke e cilësuar si një përpjekje për të thelluar ndërhyrjen e shtetit në sportin shqiptar dhe për të kontrolluar strukturat sportive përmes fondacioneve e federatave.

Zhupa argumentoi se projektligji bie ndesh me parimet e Kartës Olimpike dhe i jep rol të padrejtë Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), veçanërisht në organizimin e aktiviteteve jashtëprocesit mësimor në bashkëpunim me institucionet arsimore.

“Në nenin 3, KOKSH merr një rol zyrtar në aktivitetet sportive jashtë orarit të mësimit, duke cenuar kompetencat ekzistuese të federatave të sportit shkollor dhe universitar,” tha Zhupa.

Ajo shtoi se projektligji zgjeron përkufizimin e “organizata sportive” duke përfshirë edhe fondacione të krijuara nga institucione publike, të financuara me fonde shtetërore. Zhupa e krahasoi këtë me modelin e centralizuar të kohës së komunizmit: “Po riktheni modelin e ndërmarrjeve me ekipet e veta. Sportin do ta bëni bashkë, ti zonja ministre dhe Fideli.”

Një tjetër shqetësim i theksuar ishte mungesa e transparencës në financimet publike. “Në nenin 6 parashikohet financim direkt nga buxheti për organizata si KOKSH dhe fondacione të tjera sportive të ndërtuara nga vetë qeveria, pa kritere të qarta dhe pa transparencë. Është ndarje me standarde të dyfishta – të nënës dhe të njerkës.”

Zhupa e përmbylli me një akuzë direkte ndaj kreut të KOKSH, Fidel Ylli, për përfshirje të drejtpërdrejtë në hartimin e ligjit: “Me zë dhe figurë, në Komisionin e Edukimit, Ylli e pranoi se e ka bërë vetë ligjin. Pra, është një akt i centralizuar, pa konsultim publik real.”


AlbaniaWeb.net