Thu, Jun 26, 2025

Ngërçi politik, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ultimatum Kuvendit: Seanca konstituive duhet të përmbyllet brenda 30 ditëve

  • PublishedJune 26, 2025

Ngërçi politik, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ultimatum Kuvendit: Seanca konstituive duhet të përmbyllet brenda 30 ditëve

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur se seanca konstituive e legjislaturës së nëntë të Kuvendit duhet të përfundojë brenda një afati 30-ditor nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve, duke e cilësuar këtë si një detyrim kushtetues.

Në vendimin e publikuar pas shqyrtimit të kërkesës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), lidhur me mënyrën e votimit për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit – nga votim i hapur në votim të fshehtë – Kushtetuesja ka konstatuar se seanca e nisur më 15 prill dhe vazhdimet e saj deri më tani nuk janë zhvilluar në përputhje me Kushtetutën e vendit.

Gjykata nënvizon se afati kohor është i qartë dhe se institucionet përkatëse kanë detyrimin ta respektojnë plotësisht, në mënyrë që të garantohet funksionimi i rregullt institucional.

Pjesë e vendimit:

Gjykata ka vendosur njëzëri:

I. Të deklarojë kërkesën të pranueshme;

II. Të konstatojë që:

1. Seanca e konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e filluar më 15 prill 2025, nuk ka përfunduar dhe si rezultat i moszgjedhjes së Kryetarit/es dhe nënkryetarëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës e njëjta nuk është zhvilluar në pajtim me përcaktimet dhe kërkesat e paragrafit 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës; dhe
2. Deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në zbatim të paragrafit të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] në ndërlidhje me nenin 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve], nenin 70 [Mandati i Deputetëve] dhe nenin 74 [Ushtrimi i Funksionit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Kreun IV të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në pajtim me këtë Aktgjykim duhet që sa më shpejt dhe jo më vonë se tridhjetë (30) ditë të përfundojnë seancën konstituive të Kuvendit duke zgjedhur.
Kryetarin dhe nënkryetarët e tij.
III. TË REFUZOJË kërkesën për masë të përkohshme;
IV. T’ua kumtojë këtë Aktgjykim palëve;
V. Ta publikojë këtë Aktgjykim në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 (Vendimet) të Ligjit Nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës;
VI. Ky Aktgjykim hyn në fuqi menjëherë.