“Tregu Çam nuk duhet të shesë produkte për mbrojtjen e bimëve dhe kafshëve” – Erion Braçe ngre alarmin: Fostoksina shitet hapur, institucionet të veprojnë
Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, gjatë fjalës së mbajtur sot në Kuvend, ka ngritur shqetësime serioze lidhur me shitjen e produkteve të rrezikshme për mbrojtjen e bimëve dhe kafshëve, duke përmendur konkretisht fostoksinën, që sipas tij po tregtohet hapur në mënyrë të paligjshme.
Në diskutimin për projektligjin mbi mbrojtjen e kafshëve dhe bimëve, Braçe reagoi pas denoncimit të bërë nga deputeti demokrat Tritan Shehu, duke theksuar se institucionet ligjzbatuese duhet të ndërhyjnë menjëherë.
“Tregu Çam nuk është treg që duhet të shesë produkte për mbrojtjen e bimëve dhe kafshëve. Është një treg tjetër, si kushdo tjetër. Shitja aty është e ndaluar. Duhet të veprojnë institucionet. Gjithçka vjen nga shkelja e protokolleve, që ndodhin kudo. Dhe janë institucionet ligjzbatuese që mbajnë përgjegjësi,” – tha Braçe.
Ai shtoi se nuk bëhet fjalë vetëm për fostoksinën, por për shumë preparate të tjera që shiten nën dorë në farmaci dhe pika të tjera, duke sjellë pasoja të rënda për shëndetin publik.
Deputeti socialist u ndal edhe te mbrojtja e tokës bujqësore, që sipas tij është elementi kyç për mbrojtjen e bimëve. Ai shprehu shqetësimin se tokat në zonat rreth Tiranës po jepen gjithnjë e më shumë për ndërtime shumëkatëshe, duke zhdukur hapësirat e prodhimit bujqësor.
“Shqipëria është në hall për mbrojtjen e tokës. Bujqit po e lëshojnë tokën për aktivitete më fitimprurëse, veçanërisht në Tiranë. Shihni Saukun, Farkën, Bërzhitën, Mulletin – po ndërtohet në tokë bujqësore. Kjo është absurde!” – theksoi ai.
Braçe ngriti gjithashtu një kritikë të fortë ndaj Policisë së Shtetit, për rastet kur është ndërhyrë kundër banorëve që kanë mbjellë pjepër apo shalqinj në tokë bujqësore të shtetit:
“Ç’punë ka policia me bujqit që mbjellin në tokat buzë lumenjve? Ja u marrin tokën për panele fotovoltaike! Pse policia bën përmbaruesin privat për një tokë që është e patjetërsueshme në emër të shtetit?”
Në fund të fjalës, Braçe vuri në dukje dhe çështjen e ujërave që përdoren për vaditje, duke përmendur ndotjen masive të Semanit dhe Shkumbinit, që sipas tij janë kthyer në depo ujërash të zeza.
“Edhe këto ujëra po dhunohen. Kushdo i derdh mbetjet aty. Kjo po ndikon drejtëpërdrejt në tokën, në bimët, në shëndetin tonë. Dhe në fund, është klima – faktor që po e përkeqëson më tej situatën.”