Thu, Jun 26, 2025

Zjarr masiv në një zonë pranë Athinës, digjen disa shtëpi! Evakuohen banorët, të paktën 8 avionë në ndihmë për shuarjen e flakëve

  • PublishedJune 26, 2025

Zjarr masiv në një zonë pranë Athinës, digjen disa shtëpi! Evakuohen banorët, të paktën 8 avionë në ndihmë për shuarjen e flakëve

Shërbimi zjarrfikës grek është përballur me një vatër të fuqishme zjarri në afërsi të qytezës bregdetare Palaia Fokaia, rreth 40 kilometra në jug të Athinës. Si pasojë e flakëve që janë përhapur me shpejtësi për shkak të erërave të forta, disa banesa janë përfshirë nga zjarri, ndërsa autoritetet kanë urdhëruar evakuimin e banorëve nga katër vendbanime.

Sipas agjencisë ndërkombëtare të lajmeve Reuters, në terren janë angazhuar 90 zjarrfikës, të mbështetur nga tetë avionë dhe pesë helikopterë për të vënë nën kontroll flakët. Ende nuk është konfirmuar numri i saktë i personave që janë larguar nga shtëpitë e tyre.

Zjarri ka shpërthyer në një periudhë kur Greqia po përjeton temperatura të larta, që në disa zona kanë arritur deri në 38°C. Kushtet e motit ekstrem dhe thatësira kanë shtuar rrezikun për përhapjen e zjarreve në të gjithë vendin.

Për t’u përballur me sfidat gjithnjë e më të mëdha që sjellin këto fatkeqësi natyrore, qeveria greke ka investuar qindra miliona euro për të ndihmuar qytetarët dhe fermerët, si dhe për të pajisur më mirë shërbimet emergjente, përfshirë blerjen e pajisjeve të reja për shuarjen e zjarreve.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të ndjekin udhëzimet e sigurisë dhe të shmangin lëvizjet në zonat e prekura. Situata mbetet kritike dhe monitorohet nga afër.