Fri, Jun 27, 2025

Ekzekutimi i 25-vjeçarit shqiptar në Itali, merren në mbrojtje autori dhe familja e tij! Ja dëshmia e biznesmenit në polici

  • PublishedJune 27, 2025

Ekzekutimi i 25-vjeçarit shqiptar në Itali, merren në mbrojtje autori dhe familja e tij! Ja dëshmia e biznesmenit në polici

Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me vrasjen e 25-vjeçarit shqiptar Rivaldo Rusi në Itali.

Viktima, me origjinë shqiptare, u qëllua për vdekje me armë zjarri nga pronari i një banese në zonën Cilento, në provincën e Salernos, gjatë një tentative për grabitje që dyshohet të ketë ndodhur disa ditë më parë.

Autori i dyshuar, biznesmeni italian Aurelio Valiante, 58 vjeç, ka rrëfyer krimin para autoriteteve, duke pranuar se ka qëlluar me armë zjarri drejt dy personave që kishin hyrë në vilën e tij. Si pasojë, mbeti i vdekur në vend 25-vjeçari shqiptar, ndërsa një person tjetër u plagos rëndë dhe ndodhet i shtruar në një spital në Napoli.

Sipas dëshmisë së dhënë për prokurorin publik të Vallos, Francesco Rotondo, Valiante ka pranuar gjithashtu se ka tentuar të fshehë trupin e viktimës. Ai deklaroi se e vendosi trupin në një fuçi vere, të cilën më pas e ngarkoi në automjet dhe e transportoi disa kilometra larg për ta varrosur në një zonë të largët.

Mediat italiane raportojnë se 58-vjeçari është duke u hetuar për veprat penale të vrasjes dhe fshehjes së kufomës, por deri tani nuk është vendosur asnjë masë sigurie ndaj tij. Ai është marrë në pyetje për më shumë se 11 orë në praninë e avokatit të tij, Antonello Natale, dhe ka shfaqur gatishmëri për të bashkëpunuar me hetuesit.

Për arsye sigurie, Valiante, së bashku me bashkëshorten dhe dy fëmijët, është transferuar në një vend të mbrojtur, ndërsa autoritetet po shqyrtojnë mundësinë e zhvendosjes së tij jashtë rajonit në orët në vijim.

Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes tragjike.