Fri, Jun 27, 2025

“Kutitë u mbushën jashtë dhe u zëvendësuan në…”, Berisha vijon me publikimin e të dhënave të reja për manipulim të votave: Zgjedhjet e 11 Majit nuk do njihen nga PD

  • PublishedJune 27, 2025

“Kutitë u mbushën jashtë dhe u zëvendësuan në…”, Berisha vijon me publikimin e të dhënave të reja për manipulim të votave: Zgjedhjet e 11 Majit nuk do njihen nga PD

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka dalë sot në një konferencë për mediat, ku foli mbi procesin e zgjedhjeve të 11 majit, të cilat i konsideron një farsë elektorale.

Berisha deklaroi se sipas të dhënave të siguruara nga PD, në disa qendra votimi janë konstatuar parregullsi serioze, ku kutitë e votimit janë mbushur jashtë procedurave dhe më pas janë zëvendësuar.

“Janë gjetur në kutitë e votimit 9 fletë më shumë sesa ato që deklarohen në procesverbalin 08. Këto fletë votimi shtesë nuk përkasin për qendrën e votimit përkatëse, çka ngre dyshime të forta se këto kuti janë mbushur jashtë dhe kanë zëvendësuar kutitë e qendrës,” u shpreh Berisha.

Ai shtoi se në asnjë rrethanë nuk mund të kishte më shumë fletë votimi sesa ato të regjistruara zyrtarisht.

Kreu i PD-së tha ndër të tjera se Partia Demokratike nuk do të njohë rezultatet e zgjedhjeve të 11 majit.

“Këto zgjedhje janë një farsë e vërtetë elektorale, që nuk shprehin vullnetin e shqiptarëve dhe nuk do të njihen nga PD,” theksoi ai.