Vinicius dhuron show, Reali kualifikohet në 1/8, i pret Juventus (VIDEO)
Pa Mbappe, por me një Vinicius në versionin e tij më të mirë, Real Madrid “thyen” pastër 3-0 Salzburg duke u kualifikuar si kokë grupi për në fazën e 1/8 në Botërorin e Klubeve ku do të përballet me Juventus, një super sfidë që premton spektakël. Ekipit të Alonsos i mjaftonte vetëm një pikë në xhiron e tretë, por Reali e nisi sfidën “zjarr”, me disa vertikalizime të shpejta. Vinicius tentoi fillimisht me një goditje brenda në zonë, por u ndal në mënyrë flagrante nga portieri.
Në të njëjtën formë, në minutën e 40-të, askush nuk mund të ndalte Vinicius, me sulmuesin brazilian që u tregua i saktë duke dërguar topin në rrjetë. Në limitet e pjesës së parë, në shtesë, Vinicuis dhuroi një asist të pastër për Valeverde, me kapitenin që brenda në zonë e kishte të lehtë të dyfishonte shifrat.
Reali kishte kontrollin total të lojës, ndërsa në fraksionin e dytë trajneri Alonso u përpoq të freskonte ekipin. Në fund kishte kohë për një tjetër gol, me Gonzalo Garcia që realizoi golin e tretë me një finalizim plot klas duke hipotekuar vendin e parë Grupin H në kuotën e 7 pikëve, 2 më shumë se Al Hilal.
Një biletë për në fazën e 1/8 siguroi edhe ekipi i Simone Inzaghi-t. Ekipi saudit doli me 3 pikë nga sfida kundër Pachuca-s pas fitores 2-0, një ndeshje ku zgjidhën gjithçka me nga një gol për çdo pjesë.
Simone Inzaghi arrin në këtë mënyrë një objektiv të rëndësishëm, por tani rrugëtimi në Botërorin e Klubeve bëhet malore pasi në fazën e 1/8 do të përballen me Man.City.
()