Sat, Jun 28, 2025

Rifillojnë fluturimet mbi Iran pas mbylljes 12-ditore, lejon sërish fluturimet tranzit ndërkombëtare

  • PublishedJune 28, 2025

Rifillojnë fluturimet mbi Iran pas mbylljes 12-ditore, lejon sërish fluturimet tranzit ndërkombëtare

Autoritetet iraniane kanë njoftuar zyrtarisht rihapjen e hapësirës ajrore në pjesën qendrore dhe perëndimore të vendit për fluturimet ndërkombëtare në transit, duke i dhënë fund një ndalese 12-ditore të trafikut ajror në këto zona.

Lajmi u bë publik të shtunën nga agjencia shtetërore Nour News, e cila konfirmoi se vendimi vjen pas stabilizimit të situatës së sigurisë dhe arritjes së një armëpushimi më 24 qershor, ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, që i dha fund përplasjes së fundit ajrore mes Iranit dhe Izraelit.

Hapësira ajrore iraniane ishte mbyllur më 13 qershor, në përgjigje të sulmeve izraelite ndaj disa objekteve bërthamore në territorin iranian, duke ngritur shqetësime të mëdha për përshkallëzimin e një konflikti të hapur mes dy vendeve.

“Pas vlerësimit të plotë të situatës dhe garantimit të sigurisë së fluturimeve, autoritetet kompetente kanë vendosur të rifillojnë trafikun ajror për fluturimet transit ndërkombëtare përmes hapësirës ajrore të Iranit”, thuhet në njoftim.

Rihapja e korridoreve ajrore pritet të lehtësojë fluksin e transportit ndërkombëtar ajror, duke përmirësuar ndjeshëm itineraret e linjave që lidhin Azinë me Europën dhe Lindjen e Mesme.