Si në filma/ Nuk iu bind policisë për të ndaluar, efektivët qëllojnë drejt automjetit te të riut gjatë ndjekjes
Një 26-vjeçar nga Lezha, me inicialet J.D., është ndaluar nga policia pasi drejtonte automjetin me leje drejtimi të pezulluar dhe tentoi të largohej me shpejtësi gjatë një kontrolli në aksin Lezhë–Shkodër, në vendin e quajtur “Gajush”.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, gjatë ndjekjes, i riu rrezikoi jetën e efektivëve, çka detyroi një prej tyre të përdorte armën e shërbimit duke qëlluar në gomën e automjetit, për të neutralizuar situatën dhe ndaluar mjetin.
Gjatë kontrollit, policia i gjeti J.D.-së edhe një armë të ftohtë pa leje, ndërkohë që në mjet ndodhej edhe një pasagjer, E.S., 20 vjeç, i cili është shoqëruar në komisariat për verifikime.
Njoftimi i policisë:
Lezhë
Drejtonte automjetin me leje drejtimi të hequr, si dhe tentoi të largohej me shpejtësi, duke rrezikuar jetën e punonjësve të policisë, por falë ndërhyrjes së menjëhershme dhe profesionale, drejtuesi i automjetit u neutralizua pa pasoja.
Rreth orës 12:00, në aksin rrugor Lezhë–Shkodër, në vendin e quajtur “Gajush”, shërbimet e Njësisë Operacionale për Sigurinë Rrugore dhe sigurinë e Autostradave, të caktuar me shërbim në Lezhë, i bënë shenjë për ndalim një automjeti që po kryente manovra të rrezikshme për përdoruesit e tjerë të rrugës.
Drejtuesi i mjetit, shtetasi J. D., 26 vjeç, banues në Lezhë, pas verifikimeve, rezultoi se drejtonte automjetin me leje drejtimi të hequr për një shkelje të mëparshme. Në momentin e verifikimit të shkeljes dhe komunikimit të punonjësit të policisë për ta shoqëruar këtë të fundit për veprime të tjera në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, drejtuesi i mjetit ka refuzuar t’i bindet urdhërave të ligjshëm të punonjësit të policisë dhe me veprimet e tij për t’u larguar, ka paraqitur rrezik qartësisht të dukshëm për jetën e punonjësit të policisë, i cili, në kushtet e rrezikut të drejtpërdrejtë, real dhe të çastit dhe me qëllim parandalimin e një pasojë më të rëndë, përdori armën e shërbimit duke qëlluar në gomën e automjetit që drejtohej nga shtetasi J. D., duke bërë të mundur ndalimin e tij, ku gjatë kontrollit iu gjet edhe një armë e ftohtë pa leje nga organet kompetente.
Ngjarja është menaxhuar pa pasoja për jetën apo shëndetin e qytetarëve dhe punonjësve të policisë.
Drejtuesi i mjetit, shtetasi J. D., dhe pasagjeri që ndodhej me të, shtetasi E. S., 20 vjeç, të dy banues në Lezhë, janë shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Lezhë, ku ndaj drejtuesit të mjetit po kryhen veprimet e nevojshme hetimore për veprat penale “Drejtimi i mjeteve në mënyrë të parregullt”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, si dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, të parashikuara nga nenet 291, 236 dhe 279 të Kodit Penal.
Një grup i posaçëm hetimor nga strukturat përgjegjëse të Policisë së Shtetit dhe të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, i drejtuar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, po kryen të gjitha veprimet hetimore për të sqaruar rrethanat e ngjarjes, si dhe kushtet e përdorimit të armës së zjarrit nga efektivi i Policisë, për neutralizimin e drejtuesit të automjetit.