Zelensky: Mbështetja e Polonisë është thelbësore për sigurinë rajonale, dhe jetike për Ukrainën
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka theksuar rëndësinë e ruajtjes së mbështetjes së Polonisë në përballjen me agresionin rus, duke e cilësuar këtë partneritet si “jashtëzakonisht të rëndësishëm” për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit.
Deklarata e tij u bë gjatë një konference për shtyp në Kiev me presidentin në largim të Polonisë, Andrzej Duda, në një moment delikat të tranzicionit politik në Varshavë.
“Polonia ka qenë një mbështetëse kyçe për Ukrainën, si në aspektin ushtarak, ashtu edhe në integrimin në strukturat euroatlantike. Është thelbësore të ruajmë këtë partneritet dhe të vazhdojmë një dialog të ndërsjellë me respekt,” tha Zelensky.
Deklarata e presidentit ukrainas vjen ndërsa Polonia përgatitet për një ndryshim në udhëheqje, me zgjedhjen e presidentit të ri, Karol Nawrocki, një figurë nacionaliste i mbështetur nga ish-presidenti amerikan Donald Trump. Gjatë fushatës, Nawrocki është shprehur kritik ndaj ndihmës për Ukrainën, duke kërkuar ulje të përfitimeve për refugjatët ukrainas.
Megjithatë, presidenti në largim Andrzej Duda shprehu besim se marrëdhëniet mes dy vendeve do të vijojnë të mbeten të forta.
“Jam i bindur se Nawrocki do të ndërtojë marrëdhënie të mira me Ukrainën. Nga zyra e presidentit, realiteti duket ndryshe nga fushata elektorale,” tha Duda.
Polonia ka qenë një nga mbështetëset më të mëdha të Ukrainës që nga fillimi i luftës në shkurt 2022, duke pritur mbi 1 milion refugjatë ukrainas. Megjithatë, në muajt e fundit është vënë re zbehje e ndjeshmërisë publike ndaj çështjes së refugjatëve, duke përbërë një sfidë të re për marrëdhëniet mes dy vendeve fqinje.