Kërkohet dorëheqja e Vuçiç dhe zgjedhje të parakohshme, përplasje të dhunshme në rrugët e Beogradit mes policisë dhe protestuesve
Në Beograd, mijëra qytetarë janë përplasur me forcat e rendit gjatë një proteste masive kundër qeverisë serbe, duke kërkuar zgjedhje të parakohshme dhe fundin e sundimit 12-vjeçar të Presidentit Aleksandar Vuçiç.
Sipas raportimeve të BBC, mbi 140 mijë protestues morën pjesë në tubimin e organizuar nga lëvizja studentore dhe grupe opozitare, që shënon një nga demonstratat më të mëdha në muajt e fundit në Serbi. Protestuesit brohorisnin “Duam zgjedhje!”, ndërsa forcat speciale ndërhynë me gaz lotsjellës dhe granata shpërthyese për të shpërndarë turmën. Dhjetëra persona u arrestuan gjatë përplasjeve.
Presidenti Vuçiç e cilësoi protestën si pjesë të një “komploti të huaj” për të përmbysur qeverinë. “Deshën të rrëzonin Serbinë dhe dështuan,” shkroi ai në Instagram.
Sipas Gjykatës së Lartë të Beogradit, pesë persona janë arrestuar të premten me akuzën për përpjekje për grusht shteti. Ndërkohë, ministri i Brendshëm dënoi dhunën nga ana e protestuesve dhe theksoi se përgjegjësit do të përballen me drejtësinë.