‘Nuk e konceptoja jetën pa ty’! Letra që i dridhi zemrën Aurelës
Në rubrikën “Muzikë kur dëgjoj” në Top Channel, Aurela Gaçe u përball me një nga surprizat më të ndjera: një mesazh nga motra e saj, Blerta, e cila prej vitesh jeton në SHBA.
Duket se nuk ka as sukses, as skenë, që ta zëvendësojë lidhjen mes motrave. Blerta e nisi mesazhin si një fanse që e njeh mirë Aurelën si artiste: “Më ka habitur gjithmonë thjeshtësia jote. Edhe kur suksesi të prekte qiellin, ti mbeteshe me këmbë në tokë.”
Por pastaj, fjalët morën tjetër peshë. Me një rrëfim të sinqertë, Blerta kujtoi se si Aurela i kishte vendosur emrin para se të lindte dhe si e kishte mbajtur gjithmonë pranë: nga fustanet, tek kërcimet, e deri në koncertet me publik.
Kulmi emocional? Një histori që Aurela s’e kishte dëgjuar kurrë më parë.
“Kur ika në Amerikë, 15 vjeçe, stopi im i parë ishte Budapest. Kur të dëgjova në telefon, kuptova që kishe qarë… Unë atë natë fjeta me rrobat që u nisa nga Tirana, sepse nuk e dija kur do ju shihja më. Nuk e konceptoja dot jetën pa ty.”
Fjalë që nuk i thotë dot kushdo. Fjalë që tregojnë se pas një zëri të fuqishëm e një skene të ndezur, jeton një zemër që preket thellë nga dashuria familjare.