Mon, Jun 30, 2025

Situata e zjarreve në vend, Ministria e Mbrojtjes: 20 vatra janë shuar, dy ende aktive në Vlorë dhe Bulqizë

  • PublishedJune 29, 2025

Situata e zjarreve në vend, Ministria e Mbrojtjes: 20 vatra janë shuar, dy ende aktive në Vlorë dhe Bulqizë

Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur se deri në orën 20:00 të mbrëmjes së sotme janë regjistruar 22 vatra zjarri në të gjithë territorin e vendit, nga të cilat 20 janë shuar, ndërsa dy mbeten ende aktive: në fshatin Hoshtimë të Vlorës dhe në pyllin e Ballenjës në Bulqizë.

Për shkak të terrenit të vështirë dhe kushteve atmosferike, në zonën e Hoshtimës është ndërhyrë edhe nga ajri me helikopter Cougar, përveç angazhimit të zjarrfikësve vendorë, efektivëve të Forcave të Armatosura dhe dhjetëra vullnetarëve.

Edhe në Ballenjë të Bulqizës, ku flakët kanë përfshirë një zonë me pisha, zjarrfikësit janë në terren dhe po punojnë për vënien nën kontroll të zjarrit. Shkaku i rënies së flakëve në këtë zonë mbetet ende i panjohur.

Në total, në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar:
• 55 automjete zjarrfikëse
• 196 forca operacionale
• 14 efektivë të Forcave të Armatosura
• 1 helikopter ushtarak

Ndërkohë, Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile mbetet në gatishmëri për çdo përkeqësim të situatës.

Zonat ku vatrat janë shuar përfshijnë:
Vlorë (Zvërnec, Pavarësia), Gjirokastër (Arshi Lengo, Kosinë), Lezhë (Kolsh, Markatomaj), Vau Dejës (Hoten), Pukë (Gojan), Fier (Frakull), Pogradec (Lin), Kamëz (Frutikulturë, Valias i Vjetër, Laknas), Tropojë (Llugaj), Has (Golaj), Selenicë, Durrës (pranë hotel Adriatikut), Tiranë (Kërcukje), Patos (Matohitaj) dhe Mat (Dugagjin).

Raportimi i Ministrisë së Mbrojtjes: 

Në Qendrën Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile në AKMC, deri në orën 20:00 janë raportuar 22 vatra zjarri.
Nga këto janë shuar 20 vatra zjarri dhe janë aktive 2 vatra zjarri.
Pas një pune të pandërprerë të forcave operacionale në terren u bë i mundur izolimi i plotë dhe shuarja e vatrave në:
– Fshatin Zvërnec, njësia administrative Qendër, bashkia Vlorë.
– Lagjen Pavarësia, njësia administrative Rajoni Nr 5, bashkia Vlorë.
– Fshatin Arshi Lengo, njësia administrative Antigonë, bashkia Gjirokastër.
– Fshatin Kosinë, njësia administrative Piskovë, bashkia Gjirokastër.Fshatin Kolsh, njësia administrative Kolsh, bashkia Lezhë.
– Fshatin Markatomaj, njësia administrative Zejmen, bashkia Lezhë.
– Fshatin Hoten, njësia administrative Bushat, bashkia Vau Dejes.
– Fshatin Gojan, njësia administrative Gjegjan, bashkia Pukë.
– Fshatin Frakull, njësia administrative Frakull, bashkia Fier.
– Fshatin Lin, njësia administrative Udenisht, bashkia Pogradec.
– Fshatin Frutikulturë, njësia administrative numër 2, bashkia Kamëz.
– Fshatin Llugaj, njësia administrative Llugaj, bashkia Tropojë.
– Fshatin Golaj, njësia administrative Golaj, bashkia Has.
– Qytetin Selenicë, njësia administrative Selenicë, bashkia Selenicë.
– Afër hotel Adriatikut, njësia administrative Rajoni Nr. 5, bashkia Durrës.
– Në fshatin Kërcukje, njësia administrative Ndroq, bashkia Tiranë
– Në lagjen Matohitaj, njësia administrative Patos, bashkia Patos
– Në fshatin Valias i Vjetër, njësia administrative Nr.1, bashkia Kamëz.
– Në fshatin Laknas, njësia administrative Nr.1, bashkia Kamëz
– Në fshatin Dugagjin, njësia administrative Derjan, bashkia Mat

Aktualisht, janë aktive vatrat në:

– Fshatin Hoshtimë, njësia administrative Qendër, bashkia Vlorë, ku ka rënë zjarr në një sipërfaqe me ferra barishte dhe ullinj. Terreni malor, era dhe temperaturat e larta e bënë të vështirë vënien në kontroll të zjarrit dhe në vendngjarje ndodhen Shërbimi vendor i MZSH Vlorë me 4 automjete zjarrfikëse dhe 14 efektivë, MZSH Fier, Berat dhe Himarë me nga 1 automjet zjarrfikës me 3 efektivë, 2 automjete të FA dhe 14 efektivë, 1 automjet nga ujësjellësi Himarë dhe forca të shumta vullnetare, të cilët po punojnë për shuarjen e zjarrit. Në ndihmë erdhi Helikopteri Cougar i Forcave të Armatosura.
– Në pyllin e Ballenjës, njësia administrative Marranesh, bashkia Bulqizë, ku ka rënë zjarr në një sipërfaqe me pemë pishe. Në vendngjarje ndodhen Shërbimi vendor i MZSH të bashkisë Bulqizë me 2 automjete zjarrfikës dhe 10 efektivë, të cilët po punojnë për vënien nën kontroll të zjarrit. Shkaku i rënies së zjarrit është i panjohur.
Në operacionet për shuarjen e zjarreve, deri tani janë angazhuar 55 automjete zjarrfikëse, 196 forca operacionale, 2 automjete zjarrfikëse dhe 14 efektiv dhe 1 helikopter nga Forcat e Armatosura.

Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile është në ndjekje të situatës dhe në gatishmëri për të ofruar mbështetje të menjëhershme nëse do të jetë e nevojshme.