Sun, Jun 29, 2025

Trump kërcënon gazetarët pas rrjedhjes së raportit sekret për Iranin: Do i detyroj të zbulojnë burimet

  • PublishedJune 29, 2025

Trump kërcënon gazetarët pas rrjedhjes së raportit sekret për Iranin: Do i detyroj të zbulojnë burimet

Presidenti amerikan Donald Trump ka lëshuar një deklaratë të fortë ndaj gazetarëve dhe mediave që publikuan pjesë nga një raport sekret i shërbimeve të inteligjencës amerikane, që lidhet me ndikimin e sulmeve ajrore amerikane ndaj Iranit. Në një intervistë për Fox News, Trump paralajmëroi ndjekje penale ndaj gazetarëve që kanë publikuar ose kanë ndihmuar në rrjedhjen e informacionit konfidencial.

“Po shqyrtojmë seriozisht ndjekjen penale të gazetarëve që kanë publikuar këtë raport, si edhe të atyre që kanë rrjedhur informacionin,” u shpreh Trump, duke shtuar se administrata e tij do të marrë masa për të identifikuar dhe ndëshkuar përgjegjësit.

Trump theksoi se do të kërkojë nga mediat që të zbulojnë burimet, duke sfiduar mbrojtjen kushtetuese që gazetarët kanë për ruajtjen e burimeve konfidenciale.

“Shkon tek gazetari dhe i thua: ‘siguri kombëtare – kush ta dha?’ Duhet ta bësh këtë. Dhe dyshoj se do ecim në këtë drejtim,” tha ai.

Ndërkohë, raporti i rrjedhur, i shpërndarë ndër ligjvënësit amerikanë, sugjeronte se sulmet ajrore të 21 qershorit kishin sjellë dëm të kufizuar dhe ndikim të përkohshëm në programin bërthamor iranian, në kundërshtim me pretendimin e Trump se sulmet kishin qenë “shkatërrimtare”.

Trump akuzoi mediat si CNN dhe New York Times për “sjellje antikombëtare”, duke paralajmëruar edhe veprime ligjore ndaj tyre. Në një letër zyrtare dërguar New York Times, avokati i Trump e quajti artikullin “të pavërtetë, shpifës dhe dëmtues për reputacionin e tij”.

Në reagim ndaj këtyre zhvillimeve, lideri suprem iranian Ali Khamenei tha përmes një postimi në rrjetet sociale se Trump po ekzagjeron, duke shtuar se “sulmet nuk arritën asgjë”, dhe se retorika e tij ka për qëllim të fshehë realitetin.