Sun, Jun 29, 2025

Trump: TikTok ka gjetur blerës, emri do të bëhet publik brenda dy javësh

  • PublishedJune 29, 2025

Trump: TikTok ka gjetur blerës, emri do të bëhet publik brenda dy javësh

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se është gjetur një blerës për platformën TikTok, në mesin e një grupi që ai e përshkroi si “njerëz shumë të pasur”. Deklarata u bë gjatë një interviste të dhënë të dielën për emisionin Sunday Morning Futures, në rrjetin Fox News.

“Kemi një blerës për TikTok,” u shpreh Trump, pa dhënë detaje të mëtejshme, por shtoi se informacioni do të bëhet publik brenda dy javësh.

Kujtojmë se Shtetet e Bashkuara kanë vendosur një afat për përfundimin e marrëveshjes për shitjen e TikTok, i cili skadon më 17 shtator. Kjo lëvizje vjen në kuadër të shqetësimeve të administratës amerikane për sigurinë kombëtare dhe mënyrën se si aplikacioni – në pronësi kineze – mbledh dhe përpunon të dhënat e përdoruesve.

Gjatë intervistës, Trump komentoi gjithashtu për marrëdhëniet tregtare me Kanadanë, duke bërë të ditur se negociatat janë pezulluar përkohësisht për shkak të tarifave të vendosura nga Otava ndaj produkteve amerikane.

“Nuk do të ketë përparim derisa Kanadaja të heqë tarifat e padrejta ndaj mallrave tona,” theksoi ai.