Vala e të nxehtit, Ministria e Shëndetësisë: Pini shumë ujë gjatë ditës, edhe nëse nuk ndiheni të etur! Ja disa këshilla nga mjekët
Në kushtet e temperaturave të larta që kanë përfshirë vendin, Ministria e Shëndetësisë ka bërë një apel të fortë për qytetarët që të tregojnë kujdes të shtuar për shëndetin, duke ndjekur disa këshilla të thjeshta, por thelbësore për të përballuar nxehtësinë ekstreme.
Specialistët shëndetësorë rekomandojnë të konsumohet sa më shumë ujë gjatë ditës, edhe në rastet kur nuk ndjehet etje, me qëllim shmangien e dehidratimit. Po ashtu, qytetarëve u këshillohet të qëndrojnë në ambiente të freskëta dhe të shmangin daljet apo ekspozimin në diell gjatë orëve më të nxehta të ditës, nga ora 11:00 deri në 16:00.
Vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet fëmijëve, të moshuarve dhe personave me sëmundje kronike, të cilët janë më të ndjeshëm ndaj temperaturave të larta.
Ministrja e Shëndetësisë thekson se ekipet mjekësore janë në gatishmëri në të gjithë territorin për të ofruar ndihmën e nevojshme në rast emergjencash, ndërsa u bën thirrje qytetarëve të mos hezitojnë të kërkojnë mbështetje në çdo situatë problematike që lidhet me nxehtësinë.