Zbulohen dokumente për programin bërthamor, The Times: Izraeli kishte agjentë brenda Iranit që nga viti 2010
Një hetim i gazetës britanike “The Times” ka zbuluar se Izraeli ka pasur agjentë të infiltruar brenda Iranit që prej vitit 2010, të cilët kanë monitoruar nga afër zhvillimet në programin bërthamor dhe atë të armëve balistike të Teheranit.
Sipas dokumenteve të klasifikuara që ka siguruar gazeta, deri në fund të vitit 2024, Irani po kryente eksperimente të avancuara për krijimin e një arme bërthamore brenda një afati prej vetëm disa javësh.
Agjentët izraelitë janë infiltruar në instalacionet kyçe si ato të Natanz, Isfahan dhe në zyrat qendrore të Gardës Revolucionare Islamike, të cilat më pas u bënë objektiva të sulmeve ajrore.
Dokumentet tregojnë gjithashtu se Irani kishte për qëllim prodhimin e rreth 1,000 raketave tokë-tokë në vit, çka përbënte një rrezik të lartë për sigurinë rajonale dhe globale.
Zbulimet e reja konfirmojnë se sulmet e fundit të Izraelit ndaj objektivave strategjike iraniane janë rezultat i një përgatitjeje shumëvjeçare, të bazuar në të dhëna të mbledhura në terren nga rrjeti i tij i inteligjencës.