Mon, Jun 30, 2025

Policia serbe shpërndan protestat e studentëve në 28 qytete – Vuçiç: “I shpërndamë huliganët me efikasitet”

  • PublishedJune 30, 2025

Policia serbe shpërndan protestat e studentëve në 28 qytete – Vuçiç: “I shpërndamë huliganët me efikasitet”

Në orët e para të mëngjesit të së hënës, policia serbe ndërhyri për të shpërndarë barrikadat e ngritura nga studentët në Beograd dhe në 27 qytete të tjera të vendit. Operacioni nisi rreth orës 05:00, me forcat e rendit që rivendosën qarkullimin rrugor, në disa raste përmes përdorimit të forcës.

Pamjet nga terreni tregojnë se në një nga bulevardet kryesore të kryeqytetit, mjete policore të tipit “kluba” u futën me shpejtësi drejt protestuesve, të cilët u larguan paqësisht dhe pa incidente të rënda.

Disa dhjetëra persona u shoqëruan, ndërsa studentët kanë paralajmëruar se nuk do të ndalen. Ata planifikojnë të vazhdojnë bllokadat rrugore në formë të paparalajmëruar, duke u larguar sa herë që shfaqet policia dhe duke u rikthyer sapo ajo të largohet.

Protestat shpërthyen pas arrestimit të tetë studentëve të Fakultetit të Inxhinierisë, të akuzuar për “planifikim të sulmeve ndaj institucioneve shtetërore” dhe për “bllokim të infrastrukturës”. Ata janë vendosur në paraburgim dhe përballen me akuza për “veprime kundër rendit kushtetues dhe sigurisë kombëtare”.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç e cilësoi lëvizjen e studentëve si “akte terroriste” dhe tha:

“I shpërndamë grupet e huliganëve shpejt dhe me efikasitet.”
Ai falënderoi publikisht Rusinë, duke shtuar se “Lavrov dhe Putini e dinë se kjo është një përpjekje për revolucion me ngjyra”, duke iu referuar skenarëve të trazirave të sponsorizuara nga Perëndimi.

Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha se Moska po ndjek me vëmendje situatën në Serbi, duke shprehur shpresën se “trazirat do të qetësohen në përputhje me kushtetutën dhe ligjin e vendit mik”.