Tue, Jul 1, 2025

“U shndërrua në pasaportën e Shqipërisë atëherë kur…”, – Elisa Spiropali nderon shkrimtarin Ismail Kadare: Një alkimist modern në kohën e shpresës së vdekur

  • PublishedJuly 1, 2025

“U shndërrua në pasaportën e Shqipërisë atëherë kur…”, – Elisa Spiropali nderon shkrimtarin Ismail Kadare: Një alkimist modern në kohën e shpresës së vdekur

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, mbajti sot një fjalim në nderim të jetës dhe veprës së shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadare, i cili ndërroi jetë një vit më parë.

Gjatë një aktiviteti të organizuar nga Kuvendi dhe Akademia e Shkencave, Spiropali e përshkroi Kadaresë si një ikonë të përjetshme të mendjes dhe shpirtit shqiptar, duke nënvizuar rolin e tij si “pasaportë” e Shqipërisë në botë gjatë periudhave të izolimit dhe sfidave historike.

“Kadare u shndërrua në pasaportën e Shqipërisë atëherë kur vendi ishte brenda kafazit të izolimit, si një dallgë qytetërimi në një Shqipëri të mbytur nën duhmën orientale,” theksoi Spiropali, duke përmendur lidhjen shpirtërore dhe kulturore mes Shqipërisë dhe Kosovës që Kadare ka kontribuar të forcojë.

Fjala e plotë e Kryetares Spiropali

E dashur Helena,

I nderuar Kryetar i Akademisë së Shkencave, z. Gjinushi,

Të nderuar akademikë, shkrimtarë, poetë, deputetë e të ftuar,
Zonja dhe zotërinj,

Sot nuk jemi këtu vetëm për të nderuar më të pazakonshmin e njeriut shqiptar që iku, por për të qëndruar në heshtje përballë një ikone që do të mbetet mes nesh si dëshmi e gjallë e mendjes dhe shpirtit shqiptar.

Kur largohet një shkrimtar i përmasave të Ismail Kadaresë, fjala është gjithçka që mund të kemi – dhe njëkohësisht ajo bëhet gjithçka që ka rëndësi. Sepse, megjithatë, vetëm fjala mbetet.

Dhe është pothuaj e pamundur të gjejmë fjalët e duhura për mjeshtrin e shqipes që krijoi një univers të tërë – njëherazi të njohur dhe të panjohur, të largët dhe të afërt, një simbiozë e rrallë mes të kaluarës dhe të ardhmes, përmes kujtesës dhe imagjinatës.

Një personazh i njërit prej romaneve të tij tragjikë do të thoshte me qetësi:
“Erdha të flas, jo të lavdëroj Ismail Kadarenë.”
Sepse Kadareja nuk ka nevojë për lavdërime. Ai ishte dhe mbetet vetë lavdia.

Në jetën e tij, si në krijimtarinë e tij, ai nuk kërkoi zbukurime , ishte perbuztar ndaj tyre!
I qetë në vetmi, i rezervuar në publik, por përherë i gjallë në fjalë, Kadare mbetet simbol i dinjitetit, i mendimit të pavarur dhe i një përpjekjeje të jashtëzakonshme për të shpëtuar qenien shqiptare përmes letërsisë. Në meritë e tij Homerike ai mbetej dashesi më i madh i kesaj toke!

Në veprën e tij, vdekja dhe përsosmëria nuk janë të ndara. Ja ç’shkruan për të dyja:

“E ndjeja atë lodhje morti që po më kaplonte prapë risjellja ndër mend e epilogut të librit, në vend që të më jepte një shkas më tepër për ta pezulluar, më bëri të mendoja se po të ishte puna për t’u përsosur, pra për ta pësuar, do të ishte me të vërtetë një fat që ta pësoja nga kjo mrekulli. … Ai epilog i kishte të dyja, përsosjen dhe vdekjen, ngaqë një fat i tillë e kushtëzonte herë pas here artin: s’mund të ishte i përsosur pa qenë i mbaruar.”

Vëzhgues i përbindshëm i jetës, i ndjesive më të vogla e më njerëzore: zgjimi me një filxhan kafe, një bisedë e mbetur përgjysmë, një zhgënjim miqësor, një kravatë e re apo një heshtje që zgjat më shumë se duhet. Në këto gjëra të përditshme, ai ndërtonte universin e tij të thellë, ku lexuesit ftoheshin për bashkëjetesë. Aty ishte antikiteti dhe e nesrmja, shqiptari dhe Bota, Shqiperia dhe Europa!

Sepse ai besonte – me të drejtë – se bota që ndërtonte me fjalë ishte ndoshta më e drejtë, më e besueshme, më e vërtetë, se ajo ku jetonim.

Kadareja ndërtoi dy të tilla: njërën personalen , ku sundonte si një zot shpesh i mëshirshëm, herë hakmarrës, por gjithmonë njerëzor; dhe tjetrën, që ia dhuroi njerëzimit – një botë me përmasa mitike, por me themele reale, ku Shqipëria dhe shqiptaria gjenin formën më të lartë të vetvetes.

Në këtë univers letrar, ai udhëtoi si një Dante modern, duke pasur pranë jo vetëm Beatriçen e tij – Helenën – por edhe kujtesën, mitin, identitetin, tragjedinë dhe ëndrrën

Edhe pse Kadare, i është rikthyer tokës si rrënja më e çmuar e identitetit shqiptar, ai i përket qiellit më të epërm të vlerave njerëzore universale.

I ndarë nga bota jonë, duke vendosur të Ikë për të pushuar vetëm një çast, Kadare shënjoi dhe një nga paradokset e shumta të jetës së tij, duke i dhënë jetë dhe një paradoksi të ri, duke i dhënë paqe edhe armiqve të tij. Atyre që nën uniformën gri e monotone të mediokritetit shfaqeshin si një turmë plot me zulmë e zhurmë kritikësh dhe turmë ziliqarësh e lakmitarësh.

Vetë Kadare ishte ai që me parimin e tij për moshpjegim, i bënte të shfaqeshin edhe më të vegjël, edhe më të parëndësishëm, edhe më të papërfillur.

Fitimtar, kur mund të kthente përgjigje, tani në heshtje u dha paqe, duke lënë pas indiferencën dhe moskuptimin të gjithë atyre që iu gërmushëm, gafurrën dhe e gërvishën me gërvima groteske nën gërmërin qesharak të marshit funebër të mediokërve.

Herët a vonë, ndodh revanshi i shkrimtarit, sidomos atëherë kur ai nuk ka trup për të mbajtur mbi emër, por është vetëm një emërmbiemër mbi letërsinë e tij të shkruar.

Vetëm atëherë kur ai është jashtë hijes dhe peshës së kohës, ai dëshmon më qartë peshën e pushtetit të së përjetshmes mbi të përkohshmen.

Ky Prijës perëndimor që Shqipëria e marrë peng prej Lindjes pati fatin t’i dhurojë Perëndimit, si ata fare pak shkrimtarë të kalibrit të tij, pati një jetë jo paralele me asnjë regjim; foshnjë dhe fëmijë nën mbretërinë komike të viteve 30-të dhe më pas të viteve të pushtimit; adoleshent dhe i ri i moçëm nën regjimin komunist dhe një i pamoshë në fëmijërinë e trazuar të demokracisë shqiptare.

Kadare u shndërrua në pasaportën e Shqipërisë atëherë kur vetë Shqipëria ishte brenda kafazit të izolimit, ishte dallga e qytetërimit të një Shqipërie të mbytur nën duhmën orientale të gjirokastritit tjetër të Sokakut të të Marrëve, si një shpagë që qyteti i gurtë ia ofronte vendin nga dy skajet e të mirës dhe të keqes. Si për t’i kthyer vetë qytetit borxhin për të gjithë vendin.

Kadare ishte një udhëtar i madh që u nda nga Gjirokastra për të udhëtuar në kohë dhe në hapësirë; iu kthye antikitetit të Ilirisë dhe Greqisë së lashtë dhe mbërriti nga stepat sovjetike në brigjet e detit të Kinës në Lindje.

Ai hulumtoi universin njerëzor në qelizën e tij, që nga ADN-ja e banditit të rëndomtë tek pafajësia e dashurisë, nga shiu i dëshpëruar tek daullet e dasmave, nga krenia e individit si kështjellë tek kalatë e mendimit, nga të rrëzuarit në fatkeqësi, tek sjellësit e mynxyrave, nga skllavi tek padroni, nga i vdekuri i gjallë tek të gjallët që patën lindur të vdekur.

Një alkimist modern që në kohën e shpresës së vdekur, parashihte se shpresa lind edhe nga eshtrat e letërsisë së madhe.

Kadare nuk qe një ardhës dhe ikës i zakonshëm, një shëtitës, një kalimtar, ndër të shumtit e kësaj bote.

Kadare ishte nga raca e qiellorëve, gjenialëve, profetëvë. Atyre që bashkësive, komuniteteve, popujve, kombeve, racave, u sjellin fat kur janë në mjerim, u tregojnë zgjidhje kur janë në hall, në vështirësi, në moment kritik, u sjellin një udhërrëfyes kur nuk dinë nga t’ia mbajnë, kur zjarri po fiket dhe duhet ndezur, kur drita meket dhe duhet gjallëruar. Kadare ishte nga të parët që i dha zë Kosovës në Shqipëri dhe i tregoi Shqipërisë Kosovën si dy gjysma të trupit të një kombi të aksidentuar nga historia. Ishte vështrimi që tregonte adresën që duhej të merrnim edhe në orë fatale dhe ishte mendja që dëshmonte se çfarë duhej bërë që e ardhmja të fliste shqip e europianisht në këtë skaj të Ballkanit për dy republikat euroshqiptare.

Kadare ushqeu shpirtërisht dhe lartësoi mendërisht një popull të tërë.

Kadare e ngriti Shqipen dhe Shqipërinë në lartësi dhe largësi të panjohura më parë.

Mjerë kritizerët trukokallë që thonë se qe i tillë si shkrimtar, e i atillë si njeri, dhe broçkulla të tjera që Hyut veçse ia shtojnë lavdinë, dhe mediokrit i hedhin në honet e harresës.

Ta nderojmë, respektojmë, kujtojmë në pafundësi, është më e pakta që duhet dhe mund ta bëjmë për atë që erdhi na fali gjithçka, dhe iku pa na marrë asgjë.

Poet, prozator, polemist, sagist, eseist, epik, lirik, dramatik, tragjik, kushtuar talentin dhe jetën sa individit dhe njerëzimit, vepër me shtrirje kohore deri në antikitet dhe shtrirje gjeografike planetare, përkthyer në dhjetra gjuhë, pëlqyer nga miliona lexues, mposhtës i sfidave nga më të vështirat, përballues i rrethanave nga më dramatiket, volum pune kolosale, perfeksionist i pashërueshëm i formës dhe përmbajtjes, gdhendur jo çdo paragraf e çdo fjali, por deri çdo gërmë e çdo tingull, ekzaltues i vlerave njerëzore, kombëtare, intelektuale, europiane në periudhën nga më tragjiket e historisë sonë, në terrin e diktaturës, i binduri i patundur që e provoi dhe provon me punë titanike dhe talent gjenial se rruga për te Liria, e vetmja rrugë për progres dhe prosperitet, kalon nga arsyeja, bukuria, pasioni, ishte dhe mbetet Ai.

Hyji fluturoi lart, por na lidhi pashmangshmërisht më rrënjët tona europiane.

Sot e mot e përgjithmonë, i paharruar në zemrat tona, në mendjen tonë, në kujtesën tonë, më i ndrituri ynë. Fjalët më zor i gjejmë. Na duhesh, ngrehu dhe kthehu prej andej ku je, ku përkohësisht ke shku.