Alida Duka zbulon arsyen e mungesës në muzikë: Rrëshqita në shtëpi, theva shpatullën
Alida Duka është rikthyer pas një mungese disa mujore, e ftuar në emisionin “Rudina”. Në një rrëfim të sinqertë, ajo ka treguar për herë të parë arsyen e shkëputjes nga muzika dhe performancat publike: një aksident që i ndryshoi rrjedhën e ditëve.
Vetëm dy ditë pasi ishte zhvendosur në shtëpinë e saj të re në Hanover, këngëtarja rrëshqiti dhe theu shpatullën. “Nuk e prisja. Ishte një moment që ndodhi për pak sekonda dhe më pas gjithçka ndryshoi. Ishin tri thyerje dhe u desh ndërhyrje kirurgjikale,” tregoi ajo.
Alida pranoi se kjo ka qenë një nga periudhat më të vështira të jetës së saj. “Ishte hera e parë që ndihesha kaq e pafuqishme, sepse jam mësuar të bëj gjithçka vetë. Edhe mami kishte nevojë për ndihmën time, por atëherë ishim të dyja të pamundura,” tha ajo.
Për fat, gjithçka kaloi me sukses falë operacionit dhe fizioterapisë intensive. “Shkoja tri herë në javë për terapi. Frika për të kërcyer më shoqëronte gjatë, por pak nga pak arrita të rifitoj besimin dhe lëvizjet,” u shpreh artistja.