Gjeopolitika e takimit të nivelit të lartë të NATO-s në Shqipëri
ZENO JAHAJ
NATO ka vendosur shtetet ku do të mbahen dy takimet e ardhshme të nivelit më të lartë: në vitin 2026 në Stamboll dhe në vitin 2027 në Tiranë. Takimet e nivelit më të lartë të NATO-s pasqyrojnë zhvillimet dhe politikat në botën që ndryshon shpejt, përcaktojnë kërcënimet e pritëshme dhe ndajnë përgjegjësitë për përshtatjen dhe përdorimin e mundshëm të fuqisë së Aleancës ndaj tyre.
Me kërkesën që aleatët të rrisin shpenzimet deri në 5% të PBB-së, takimi i fundit në Hagë, në 24-25 qershor 2025, tregoi se kërcënimet ndaj sigurisë në botë pritet të bëhen shumë më të mprehta: le të përmendim se shpenzimet aktuale të mbrojtjes të vendeve anëtarë të NATO-s vërtiten rreth 1.6% deri 1.8% të PBB-së, nga të cilët vetëm SHBA-të, Mbretëria e Bashkuar, Polonia, Greqia dhe Turqia shpenzojnë mbi 2%. Deklarata përfundimtare ishte më e shkurtra e të gjitha takimeve të tilla në historinë 85-vjeçare të NATO-s. Ajo përmban vetëm 427 fjalë. Deklarata e Takimit të vitit 2024 në Uashington përmbante 5341 fjalë. Një diferencë mbi 12 herë brenda një viti, kur nuk kanë ndryshuar rreziqet, flet më së shumti një marrëdhënie të ndryshuar politike transatlantike, e kështu, për të mënjanuar përplasjet me filozofinë e Trump për sigurinë globale.
Asnjë përmendje e Kinës, Iranit apo Koresë së Veriut! Ndoshta një pasqyrim i pikëpamjes mbizotëruese në Pentagon se SHBA do të merret vetë me teatrot e Lindjes së Mesme, Azisë Juglindore dhe Paqësorit. Siç tregoi edhe hidh-e-pritja raketore Izrael-Iran-SHBA, gjatë së cilës Europa u la mënjanë edhe diplomatikisht. Deklarata iu vuri emër kërcënimeve kryesore strategjike: “Kërcënimet dhe sfidat e thella ndaj sigurisë, në veçanti kërcënimit afatgjatë që paraqet Rusia për sigurinë euroatlantike dhe kërcënimit të vazhdueshëm të terrorizmit”. Dhe, ndaj tyre kërkoi që Aleanca të vijojë të qëndrojë e bashkuar. Ukraina u përmend vetëm si detyrim sovran, domethënë afirmoi thjesht mbështetje nga secili anëtar i NATO-s veç e veç, përderisa siguria e Ukrainës i kontribuon secilit anëtar sipas pozitës gjeografike e gjeostrategjike.
Natyrisht që është alternativa me optikë më të pranueshme, por nga ana tjetër, duket se ky qëndrim përbën një “shkarje” nga politikat me bazë aleancat, në politika me baza bilaterale? Takimi, edhe pse e riafirmoi Nenin 5 të mbrojtjes kolektive (Një sulm kundër një aleati konsiderohet sulm kundër të gjithëve), për herë të parë pothuajse e kushtëzon atë me kërkesën që aleatët duhet të investojnë 5% të PBB-së çdo vit në kërkesat thelbësore të mbrojtjes, si dhe në shpenzimet që lidhen me mbrojtjen dhe sigurinë deri në vitin 2035. Ndërkohë, deklarata, edhe pse e renditi Rusinë si kërcënim afatgjatë, domethënë kërcënim strategjik, nuk formuloi asnjë strategji veprimi ndaj një agresori që theu, vijon dhe do të vijojë të thyejë të gjitha kornizat e sigurisë ndërkombëtare dhe jo vetëm ndaj Ukrainës.
Që do të thotë se brenda korridoreve të NATO-s ka të ngjarë të ziejnë jo më pak se dy qëndrime ndaj kësaj çështjeje të sigurisë ndërkombëtare. Çështja tani është nëse udhëheqësit europianë do të jenë të gatshëm të shpenzojnë kapitalin e tyre politik për të bindur publikun e tyre se ia vlen të shpenzohet për mbrojtje, veçanërisht nëse këto shpenzime cenojnë buxhete të tjera të shpenzimeve sociale. Dikur ka qenë Kanadaja, dhimbja më e madhe e kokës së NATO-s për shkak të shpenzimeve të saj kronike të pamjaftueshme në mbrojtje. Në Takimin e Hagës që sapo u mbyll, problemi ishte Spanja, me Sllovakinë që vjen e dyta menjëherë në “rebelimin” ndaj kushtëzimit se “po nuk pagove 5%, nuk do të mbrohesh”.
Sigurisht që aleancat e vendeve demokratike përmbajnë natyrshëm kontradikta dhe diferenca të tilla, por çështja është se si do të operojë më tej instrumenti i presionit për riharmonizim të buxhetit të mbrojtjes me atë social. Sidoqoftë, dy takime të njëpasnjëshme të nivelit të lartë të NATO-s që do të mbahen në Ballkan tregon për një vlerësim të pozitës gjeostrategjike të rajonit “fuçi baruti” në raport me kërcënimet e pritshme globale. Dikur, Napoleon Bonaparti pati thënë se, “Nëse Toka do të ishte një shtet i vetëm, Stambolli do të ishte kryeqyteti i saj”. Dy kërcënimet e mëdha strategjike të sotme: Rusia dhe terrorizmi kalojnë detyrimisht nga, ose u bëhet pritë nga Stambolli. Shqipëria, më saktë i gjithë faktori kombëtar shqiptar, i shtrirë pothuajse në të gjithë Ballkanin Perëndimor është objektivi ose prita tjetër./Gazeta Panorama