Fri, Jul 4, 2025

Mbyllet legjislatura e 10-të, një parlament i ri që nis në shtator! 82 deputetë nuk do jenë më të ulur në karriget e Kuvendit

  • PublishedJuly 3, 2025

Mbyllet legjislatura e 10-të, një parlament i ri që nis në shtator! 82 deputetë nuk do jenë më të ulur në karriget e Kuvendit

Është mbyllur zyrtarisht sot seanca e fundit plenare e legjislaturës së 10-të, duke i dhënë fund mandatit të mazhorancës “Rama 3”. Data 3 korrik shënoi përfundimin e jetës parlamentare për këtë cikël politik, ndërsa në shtator do të konstituohet parlamenti i ri, i dalë nga zgjedhjet e 11 majit.

Socialistët, me Edi Ramën në krye, do të nisin mandatin e katërt qeverisës, duke e kthyer Ramën në kryeministrin më jetëgjatë të periudhës post-komuniste në Shqipëri.

Në këtë ndërrim legjislaturash, 82 deputetë të parlamentit aktual nuk do të jenë më pjesë e Kuvendit që nis nga shtatori. Ndër emrat më të spikatur që lënë skenën parlamentare janë figura të njohura të Partisë Socialiste si Pandeli Majko dhe Petro Koçi.

Nga ana tjetër, në radhët e opozitës bien në sy largimet e Lulzim Bashës dhe Enkelejd Alibeajt, të cilët nuk morën pjesë as në seancën e fundit plenare. Po ashtu, mungesë e ndjeshme për Partinë Demokratike është Dashnor Sula, deputeti nga Peqini, i njohur për përplasjet e forta me mazhorancën dhe për episodet e tensionuara jashtë Kuvendit me Gardën. Megjithatë, ai nuk arriti të sigurojë një vend në listat e PD-ASHM për zgjedhjet e 11 majit.

Një tjetër emër me peshë që nuk do të jetë në parlament është edhe Dashamir Shehi, i cili këtë herë provoi një “aventurë demokratike” duke drejtuar një koalicion të djathtë “Bio”. Por, pa praninë e Sali Berishës, çdo përpjekje e djathtë u perceptua nga militantët si më “komuniste se komunistët”.

Pavarësisht mungesës së opozitës në sallë, mazhoranca socialiste miratoi disa projektligje të rëndësishme, mes të cilëve spikat strategjia kundër ndërhyrjeve të huaja dashakeqe në proceset zgjedhore dhe dezinformimit. U miratuan gjithashtu ligje që prekin fusha si markat tregtare, lejet e drejtimit, si dhe projektligji i përfolur për bashkëpronësinë në administrimin e pallateve, i hartuar nga ministri i Pushtetit Vendor, Arbjan Mazniku.

Në shtator pritet një tjetër “stinë e nxehtë” politike, ku do të rikthehen përballjet mes aktorëve të rinj dhe të vjetër të skenës. Vëmendje të veçantë pritet të marrin përplasjet e paralajmëruara gjatë fushatës, si ajo mes Sali Berishës dhe Sara Milas, apo Gazment Bardhit me Zegjine Çaushin.

Projektligjet e miratuara sot:

  1. Akti normativ nr.6 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.115/2024, “Për buxhetin e vitit 2025”, të ndryshuar”.
  2. Projektligji “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në marrëveshjen ndërmjet Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, qeverisë së Republikës së Bullgarisë, qeverisë së Republikës së Kroacisë, qeverisë së Hungarisë, qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, qeverisë së Malit të Zi, qeverisë së Republikës së Serbisë, qeverisë së Republikës së Sllovakisë dhe qeverisë së Republikës së Sllovenisë për bashkëpunimin dhe koordinimin në fushën e kërkimit dhe shpëtimit ajror, nënshkruar në Ohër më 22.2.2023”.
  3. Projektligji “Për ratifikimin e vendimit nr.2/2024 të Komitetit të Përbashkët të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore, “Për lehtësimin e tregtisë elektronike””.
  4. Projektligji “Për rezervat materiale të shtetit”.
  5. Projektligji “Për markat tregtare”.
  6. Projektligji “Për patentat, modelet e përdorimit dhe certifikatat e mbrojtjes shtesë”.

10.Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë””, i ndryshuar.

11.Projektligji “Për administrimin e bashkëpronësisë në ndërtesa”.

12.Projektligj “Për miratimin e Strategjisë Kombëtare kundër Ndërhyrjeve të Huaja dhe Dezinformimit”në proceset demokratike të vendit”.

13.Projektligj “Për ligjin për një ndryshim në ligjin nr. 7764, datë 2.11.1993 “Për investimet e huaja”, i ndryshuar.