VIDEO/ Operacioni i Guardia di Finanza, si u sekuestruan pasuritë e klanit Çela në Verona! Autoritetet italiane publikojnë pamjet
Autoritetet italiane kanë publikuar pamjet zyrtare të një operacioni të zhvilluar në qytetin e Veronës, ku janë sekuestruar pasuri me vlerë rreth 4 milionë euro, në pronësi të vëllezërve Suel dhe Mario Çela, të dyshuar për lidhje me mafian shqiptare të trafikut ndërkombëtar të drogës.
Sipas mediave italiane, hetimet kanë zbuluar një skemë të sofistikuar pastrimi parash në Itali, të ardhura nga trafiku i kokainës, që importohej nga Amerika e Jugut për tregun europian.
Operacioni është rezultat i një hetimi të përbashkët mes Guardia di Finanza së Veronës dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit në Shqipëri. Dyshohet se një familje e njohur kriminale shqiptare me origjinë nga Elbasani ka investuar të ardhurat e paligjshme në sektorin e pasurive të paluajtshme në territorin italian.
Gjykata e Veronës ka urdhëruar sekuestrimin e një sërë pasurish të paluajtshme, aksione në kompani, si dhe fonde financiare, që ishin pjesë e një rrjeti për pastrimin e parave. Një prej vëllezërve, Mario Çela, është në kërkim ndërkombëtar, ndërsa tjetri, Suel Çela, ndodhet në burg në Belgjikë, pas arrestimit të tij në Verona në qershor 2024, përfshirë dhe në një vrasje të dyshuar në Antverpen, që lidhet me luftën mes klaneve kriminale.
Sipas hetuesve, paratë e përfituara nga trafiku i drogës janë futur në Itali përmes një kompanie imobiliare në Verona, e cila kishte investuar në blerje dhe rikonstruksion ndërtesash, të cilat më pas jepeshin me qira. Transaksionet financiare janë kryer përmes kanaleve jo të zakonshme, duke përdorur rrugë nga Shqipëria.
Hetimet vijojnë në bashkëpunim me autoritetet shqiptare, ndërsa nuk përjashtohet që të ketë të tjera masa sekuestruese dhe arrestime në ditët në vijim.