Fri, Jul 4, 2025

“Sara Mile do bëhet ministre…”- Satira e Agron Gjekmarkajt për mbylljen e punimeve të Kuvendit! ‘Qortimi’ i Bardhit e Nokës: Ne luftojmë, ti do…

  • PublishedJuly 4, 2025

“Sara Mile do bëhet ministre…”- Satira e Agron Gjekmarkajt për mbylljen e punimeve të Kuvendit! ‘Qortimi’ i Bardhit e Nokës: Ne luftojmë, ti do…

NGA AGRON GJEKMARKAJ

Kronikë e ditës së fundit të legjislaturës dhe posteve që po ndahen! Gjatë në kujtesën e miletit do të mbahet mënd pikëllimi i Borës në vendin e së cilës përgojohet Zeqineja, tek shikonte xhaxhi Pandin të ngujuar mbi karrige për gjatë gjithë ditës!

Dukej sikur i thoshte: “T’u pata lutur të impenjoheshe më shumë, të paraqiteshe më mirë tek platforma ‘deputeti që duam’, por sakën, nejse ike ti e të erdhi kushërira Ina Majko – gajret!”

Madje edhe kur socialistët u mblodhën në mejhanen e Kuvendit për të pirë llallën e lamtumirës që Kostaqi i Harvardit si baxhier kishte tundur me dybek e ëmbëlsuar gojën me kekun që Mamica me ato duar të hajthme kishte nomatisur, ai nuk lëvizi. Ishte vuvosur i tëri. Më ëndej një copë edhe mua, por Kryezevendes  Lideri Muli me Gaz Bardhin më panë vëngër si qortim për oportunizëm e mu tha  pështyma: “Ne luftojmë, ti do të hash në çanak me dushmanin?”

U mblodha, u bëra grusht.  Mimi di Puccini dukej si një lis që duronte sepatat e fatit, por nuk rënkonte, e përzhitur në një heshtje solemne.

Ismet Beqiri që “Kronika” aq shumë e desh me sy të njomur, me merakun se çfarë po humbet ky parlament me ikjen e tij, na bekonte një e nga një duke na lënë uratën. Petro Koçi dënes­te për Ismetin, jo për vete.  Vullnet Sina për të cilin thuhet se do bëhet ministër mbrojtjeje, lexonte një libër dhe e kalonte kohën në mënyrë të kulturuar.

Gjeneral Kollçaku që nuk pa një ditë të bardhë, ndihej si Moisi Golemi që e rrjepnin dalëngadalë në sheshin e Stambollit.

Dilo Nasufi shfaqej si Barbarosa e thoshte: “Shyqyr që shpëtoi mjekra ime pa u percelluar!”

Laert Duro ishte i vetmi që edhe ditën e fundit e kishte mendjen tek puna! U printe dy karrove me damixhane fringo të reja, disa të veshur me dru, ca me kashtë e të tjerë me rreth hekuri të cilët i shkarkoi me merak e përkujdesje.

Ja dorëzoi Damos, i tha: “Ruaji si sytë se ato janë për lotët e rinj që do derdhen, të gëzimit e marazeve, për djersët e punës, për lëngje të tjera nga zori.”

Damo ndihej i prekur për besimin, por edhe i habitur pse nuk u ftua në Akademi për të dhënë së paku lëndën e fiskulturës?!

Laerti i tha: “Ti vazhdo stërvitu se të vjen radha, po mos merr ment e Ditmarit.”  Ermonela më në fund kishte kuptuar diçka nga politika.

Blero shpërndante buzëqeshje si profum sa endej këtej si një kujtim i katër viteve që vanë. Dash Sula kalorës i sqimës, mbajtës shamishë e thilesh të praruara, vikati për të fundit herë, anatemen e Zotit lëshoi dhe iku pa kthyer kokën që mos t’i dukeshin lotët e madhit për Mamicen që i gurgullonin si ujë kroi.

Tezja erdhi, një me muzgun e perëndive të stepës!

Anila e pa qetë  për zërat që Braçen e shohin si kryebujk kishte hedhur llafin për të larguar sikletin nga vetja që ajo (tezja) lan e fshin, hekuros e qendis për neomalësoren që zyrën t’ja lërë të pastër bilur.

Gonxhe pinte aspirina, në një anë Vin virani, në tjetrën gojët e këqia po buçasin që Onid Bejleri meqenëse ka një dell me Sindrit Bejlerin mund t’i heqë kulturën. Jorushi i Tabakëve që më 11 Maj u ringrit si Anteu, më 1 korrik pati ditëlindjen, as kafe, as gjë prej gjëje nuk ofroi, po hiç asgjë. Gjithsesi vitet tutje ajo tehu, mbajti nja tre-katër fjalime të zjarrta si energji e moshës, ku i bëri copash të liqtë, mbase si qerasje për këtë rast.

Albana e kishte përmirësuar shumë qëndrimin ndaj meje, me gjasë nuk i dukem njeri aq i keq, ndoshta si ditë e fundit e legjislaturës u tregua zemërgjerë por xhani ma do pak më të ngrohtë.
Oerdi e Luani shfaqeshin si një tandem mistik i së ardhmes.
Ulsiu qiti kryet tek llozha e Bakë xhanit, ndenji si i përhumbur aty dy tre minuta!

“Erdhi Presidenti, erdhi Presidenti më në fund!” – pllaqurii duart Eni Xake.  “Është Ulsiu moj,” – tha Etjeni, “por nuk del në kokë të vet ai, është shënjë, duhet një në vend të Haxhi Lleshit!” Xhikja kishte miqesi me Lymin , Toni si pezak duhet te zgjedhe mes Taos e Ulsiut!

Blendi Klosi po piqet gjithnjë e më shumë, nuk shfaq as gëzim e as mërzi, rri ashtu i mufatur si bakllavaja në sherbet, por mendonte: “Ja, Sara Mile do bëhet ministre për integrimin, sa mirë!”

Petrit Malaj u gëzua qamet kur Bujari ynë tha që paskësh respekt për të si profesionist, dhe i thoshte Gaz Bardhit: “Gabove që më shave i paaftë e budalla, ja e sheh! Delina do ja zërë prapë vendin, vallë?!”

Vin Hoxha po ndien peshën e madhështisë, ishte gati të ftonte në duel Gonxhen për Bashkinë e Tiranës, megjithëse Agron Malaj si gardist e me kulturë zogiste po përgatitet për ministër i brendshëm.

Tao rrinte siç i ka hije një akademiku, ëndërronte për ministrinë e re të diasporës me dy zëvendësa: Etilden për vendet e BE dhe Tonin për Amerikën e Anglinë.

Megjithëse me fjalimin e fundit dje, Etilda  i forcoi pozitat për ministre e marrëdhënieve me Parlamentin ose këshilltare e parë e Babos.
Nikoqiri mbante përbrënda një sakelldi të thellë, ndoshta dhimbja për shokët që vanë.

Shalsi me sytë nga tavani të kujtonte Eseninin e madh për nga fuqia e mendimit.
“Ku është Ogi, ku është Ogi?” – u dëgjua një thirrje.
“Po blen ca çifte të ruajë ministrinë,” – tha Bujari i Lushnjes.
“Se një farë Ervin Demo ka mbushur Tiranën që do bëhet ministër arsimi dhe Zëvendës Kryeministër!”

“J’allah j’allah,” – rënkoi Antoneta – “Edhe Belës edhe Ogit do tu heqë nafakën ky, qenka firaun me ambicie! Ç’ka bërë ky, ka hequr gozhdat e urës me të prapme!”

U ankua edhe Dilos: “I punoi qindin në fushatë?!”

Arben Pellumbi iku pa lënë pas armiq. “Ja bëj hallall Babos mjekrën dhe dy-tre të qara zemre kur gëzohesha shumë,” – tha.

Bela u pa, ishte hequr me masë, na gëzoi shumë. Na shihte me çiltersi të madhe të gjithëve si të na kishte evlajter.

Sa e dashur. Na kishte marrë malli.  Olta më nguli syte qortueshem në dalje e me beri rezil “je një  thengjill i mbuluar qe se ke shokun ti more firaun, trazon yndyren e Kuvendit baballaret e baballeshat e kombit me keto  qe shkruan, vatani ka derte e ti bën si interesant, hajt mu bej def nga sytë”