Sat, Jul 5, 2025

Alarmi për bombë në Kuvendin e Kosovës, Prokuroria e Prishtinës zbardh detaje: Ishte zë mashkulli dhe në gjuhën angleze, ja dyshimet tona

  • PublishedJuly 5, 2025

Alarmi për bombë në Kuvendin e Kosovës, Prokuroria e Prishtinës zbardh detaje: Ishte zë mashkulli dhe në gjuhën angleze, ja dyshimet tona

Një alarm për bombë ka shkaktuar sot evakuimin e menjëhershëm të deputetëve dhe stafit të Kuvendit të Kosovës. Rreth orës 10:54, Policia e Kosovës mori një telefonatë anonime ku thuhej se brenda objektit të parlamentit ishte vendosur një mjet shpërthyes.

Menjëherë pas njoftimit, forcat e rendit, përfshirë Njësitin për Deminim dhe Njësitin K9, si dhe përfaqësues të Prokurorisë Themelore të Prishtinës, u paraqitën në vendin e ngjarjes. Pas kontrollit të imtësishëm, u konstatua se kërcënimi ishte i rremë.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Zejnullah Gashi, deklaroi se hetimet do të vazhdojnë për të identifikuar burimin e telefonatës.

“Ka qenë një kërcënim i rremë. Hetimet për thirrjen anonime do të vijojnë. Telefonata ka ardhur në gjuhën angleze nga një zë mashkulli, dhe dyshohet se mund të jetë bërë nga një shtet jo mik,” deklaroi Gashi.

Autoritetet janë duke analizuar të gjitha gjurmët e mundshme teknologjike për të zbuluar autorin apo autorët e kësaj thirrjeje që shkaktoi alarm dhe ndërprerje të aktivitetit parlamentar.