Luljeta Bozo mbyll heshtur mandatin në Kuvend, “inxhinierja” që qëndroi deri në fund, pa protagonizëm, pa zhurmë
Luljeta Bozo, deputetja më e moshuar e këtij legjislacioni, ka qenë e pranishme në seancën e saj të fundit plenare, duke dëshmuar sërish përkushtimin që e ka karakterizuar gjatë gjithë mandatit.
E veshur thjesht, me një kostum të lehtë veror dhe një çantë të vogël në dorë, ajo hyri në sallë pa zhurmë, pa shoqërues dhe pa ndonjë ceremoni simbolike. Nuk pati përqafime, nuk pati selfie, dhe as ndalesa për biseda të gjata në korridore.
Ajo nuk kërkoi asnjë moment protagonizmi, por e çoi detyrën deri në fund, me të njëjtin standard që e ka ndjekur prej ditës së parë. Në një mjedis politik ku largimet shpesh shoqërohen me mesazhe, deklarata dhe emocione të mëdha, Bozo zgjodhi heshtjen dhe thjeshtësinë. Një dalje që flet shumë për karakterin e saj.
E kemi për 4 vite të vijë në Parlament edhe kur ka qenë në kushte të vështira shëndetësore, ndaj edhe Bozo nuk kishte sesi të mungonte as në seancën e saj të fundit, duke mbyllur kështu një rrugëtim në politikë.