Sat, Jul 5, 2025

“Nuk funksionon si një institucion tradicional me nota apo provime”, Romina Kuko: Akademia Politike e PS, një investim për cilësinë e përfaqësimit në Kuvend

  • PublishedJuly 5, 2025

“Nuk funksionon si një institucion tradicional me nota apo provime”, Romina Kuko: Akademia Politike e PS, një investim për cilësinë e përfaqësimit në Kuvend

Deputetja e sapozgjedhur e Partisë Socialiste, Romina Kuko, ka vlerësuar iniciativën për krijimin e Akademisë Politike të PS-së si një nismë të suksesshme që synon rritjen e cilësisë në përfaqësimin parlamentar.

E ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, Kuko tha se akademia nuk funksionon si një institucion tradicional me nota apo provime, por si një platformë mentorimi, ku figurat me përvojë të PS-së ndajnë njohuritë dhe eksperiencat e tyre me deputetët e rinj.

“Deputeti i ri mund të vijë nga fusha të ndryshme si rinia, shoqëria civile apo sektori privat, dhe nuk është e drejtë të pritet prej tij të jetë një ‘produkt i përfunduar’ që në ditën e parë,” deklaroi Kuko, duke theksuar rëndësinë e një faze integrimi dhe zhvillimi profesional në politikë.

Sipas saj, Akademia Politike është një hap konkret për të ndihmuar procesin e adaptimit dhe përgatitjes së përfaqësuesve të rinj, me synimin për të ndërtuar një politikë më përfshirëse dhe më të përgjegjshme.

“Demokracia nuk mbaron te kutia e votimit, por fillon aty. Me këtë akademi, PS jep një kontribut konkret për të garantuar një përfaqësim më cilësor për qytetarët,” u shpreh Kuko.