I dënuar me 20 vite burg për trafik droge, arrestohet në Qafë Thanë 34-vjeçari i shpallur në kërkim ndërkombëtar
Policia Kufitare në pikën e kalimit kufitar të Qafë Thanës ka vënë në pranga një shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar, i dënuar me 20 vite burg për përfshirje në trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
I arrestuari është Alija Arslan, 34 vjeç, banues në Kërçovë, Maqedonia e Veriut.
Kapja e tij u bë në kuadër të kontrolleve të përforcuara të Policisë Kufitare, të fokusuara në parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si dhe në identifikimin e personave të shpallur në kërkim, si në nivel kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar.
Sipas autoriteteve, ndaj Arslan ishte lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar nga autoritetet gjyqësore të një shteti të Bashkimit Evropian, ku ai është dënuar me një burgim të gjatë për trafik droge në kuadër të një grupi kriminal.
Njoftimi i policisë
Kapet në hyrje për në Shqipëri një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar, i dënuar me 20 vite burg për trafik ndërkombëtar droge.
Në vijim të kontrolleve të shtuara për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si dhe për kapjen e shtetasve në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar, shërbimet e Policisë Kufitare në Pikën e Kalimit Kufitar Qafë Thanë ndaluan dhe arrestuan në hyrje të territorit shqiptar shtetasin:
Alija Arslan, 34 vjeç, banues në Kërçovë, Maqedonia e Veriut.
Nga verifikimet e kryera në bashkëpunim me Interpol Tiranën, rezultoi se ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Bern/Zvicër, në zbatim të një urdhri të lëshuar nga Zyra e Prokurorit Publik të Kantonit Argau.
34-vjeçari është i dënuar me 20 vjet burg, për vepra penale të lidhura me trafikimin ndërkombëtar të narkotikëve, të parashikuara nga neni 19 i Aktit mbi Narkotikët dhe Substancat Psikotrope të Kodit Penal Zvicerian.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Bern/Zvicër, vijojnë veprimet për ekstradimin e tij drejt Zvicrës.