Sun, Jul 6, 2025

Italia mes vapës përvëluese dhe stuhive vdekjeprurëse, një i vdekur dhe dy të plagosur në Milano

  • PublishedJuly 6, 2025

Italia mes vapës përvëluese dhe stuhive vdekjeprurëse, një i vdekur dhe dy të plagosur në Milano

Italia po përballet me kushte të vështira atmosferike. Një pjesë e Italisë ndodhet nën pushtetin e të nxehtit ekstrem, ndërsa pjesa tjetër është pushtuar nga stuhitë e forta të shiut.

Një 63-vjeçare nga San Vittore Olona humbi jetën këtë pasdite në Itali, pasi një pemë e madhe u rrëzua mbi të gjatë një stuhie të fortë që goditi zonën e Alto Milanese.

Ngjarja tragjike ndodhi pak para orës 17:00 në Cascina Induno, një zonë e pyllëzuar pranë Robecchetto-s, gjatë një shëtitjeje në rrugën e njohur Alzaia del Naviglio.

Sipas informacioneve paraprake, gruaja ishte së bashku me dy persona të tjerë – një grua 68-vjeçare dhe një burrë 70-vjeçar – kur pema, e rrëzuar si pasojë e erërave të forta, u përmbys duke i zënë poshtë.

Fatkeqësisht, përpjekjet për të shpëtuar 63-vjeçaren rezultuan të kota – vdekja e saj u konfirmua në vend. Dy personat e tjerë u dërguan në spital, pa rrezik për jetën.

Ngjarja ndodhi në një ditë me kushte ekstreme atmosferike për rajonin e Milanos, ku një stuhi e fortë me shi të rrëmbyeshëm dhe erëra të fuqishme ka shkaktuar dëme të shumta materiale dhe ka gjeneruar qindra telefonata në numrin emergjent të zjarrfikësve.

Mbrojtja Civile e Bashkisë së Milanos kishte dhënë paralajmërime ditë më parë për reshje të dendura dhe erëra të forta, duke vendosur masa paraprake për përmbytje të mundshme në zonat e ndjeshme si lumi Seveso dhe lagjja Ponte Lambro, ku janë ngritur barriera mbrojtëse.

Autoritetet vijojnë hetimet për të përcaktuar saktësisht rrethanat e ngjarjes, ndërsa bëhet thirrje për kujdes të shtuar gjatë lëvizjeve në ambiente të hapura gjatë motit të keq.

Mbi 50 ndërhyrje nga zjarrfikësit në Milano për shkak të motit të keq

Stuhia e fuqishme që goditi sot zonën e Milanos ka detyruar zjarrfikësit të kryejnë mbi 50 ndërhyrje në pjesë të ndryshme të qytetit dhe periferisë. Mot i keq ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, ndërsa forcat e emergjencës janë ende në terren për të menaxhuar situatën.

Ndërkohë që jugu i vendit po ‘përvolhet’ nga i nxehti ekstrem.

Italia po përballet me kushte ekstreme moti në të dy skajet e saj gjeografike: në jug, nxehtësia përvëluese ka detyruar autoritetet të marrin masa për mbrojtjen e kafshëve, ndërsa në juglindje, zjarret po shkatërrojnë mijëra hektarë ullishte të prekura nga sëmundja Xylella.

Në Palermo, autoritetet kanë ndaluar qarkullimin e automjeteve të tërhequra nga kafshët për sot dhe nesër, si masë emergjente për të mbrojtur mirëqenien e tyre. Vendimi u zyrtarizua nga kryetari i bashkisë Roberto Lagalla përmes një urdhërese të veçantë, pas paralajmërimeve të Departamentit të Mbrojtjes Civile për një valë ekstreme të të nxehtit që pritet të godasë Siçilinë gjatë ditëve në vijim.

Masën e përforcoi edhe raporti i këshilltarit për Mirëqenien e Kafshëve, Fabrizio Ferrandelli, duke e cilësuar situatën si potencialisht të rrezikshme për kafshët që përdoren për transport, sidomos në qendrat turistike të qytetit.

Ndërkohë në Puglia, zjarret janë përhapur me shpejtësi në zonën e Salentos, duke djegur mijëra pemë ulliri dhe qindra hektarë tokë bujqësore. Sipas organizatës Coldiretti Puglia, bimët e thara nga sëmundja Xylella janë shndërruar në “pishtarë natyralë”, duke arritur temperatura mbi 750 gradë gjatë përhapjes së flakëve.

Zjarret janë favorizuar nga temperaturat ekstreme, thatësira, por edhe braktisja e fushave të pambuluara, të mbushura me barishte dhe mbetje.

Në shumë raste, flakët kanë djegur edhe tuba ujitjeje dhe mbeturina, duke krijuar re toksike tymi që kanë arritur deri në zonat e banuara.