Manjati i teknologjisë njoftoi themelimin e Partisë Amerikane! Reagon Sekretari i Thesarit i SHBA-ve: Elon Musk duhet të fokusohet në biznes, jo në politikë
Sekretari i Thesarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Scott Bessant, ka komentuar zhvillimin e fundit të bujshëm nga Elon Musk, i cili një ditë më parë shpalli krijimin e partisë së tij politike, “Partia e Amerikës”.
Në një intervistë për CNN, Bessant u shpreh se Musk duhet të përqendrohet tek kompanitë që drejton, duke nënvizuar se bordet drejtuese të tyre nuk janë të kënaqura me përfshirjen e tij në politikë.
“Mendoj se bordet e drejtorëve të kompanive të ndryshme do të donin që ai të kthehej në ato biznese, ku ai është më i mirë se kushdo tjetër,” tha Bessant.
Ai shtoi se shpallja e partisë së re ka shkaktuar shqetësim në qarqet financiare dhe se “parimet” që Musk përfaqëson janë “shumë të njohura”, por shtoi se, sipas sondazheve, Musk nuk gëzon mbështetje të gjerë politike.
Krijimi i partisë së re vjen pas një përplasjeje të ashpër mes Musk dhe aleatit të tij të dikurshëm, Donald Trump, lidhur me një projektligj që Musk e cilësoi si kërcënim për ekonominë amerikane. Ai kishte paralajmëruar se do të krijonte një parti të re nëse ligji miratohej – dhe të premten përmbushi këtë kërcënim.
Ndërkohë, tregjet financiare kanë reaguar me shqetësim. Aksionet e Teslës ranë me 0.85% në tregtimin elektronik jashtë Bursës së Nju Jorkut, mes sinjaleve se investitorët janë të pakënaqur me zhvendosjen e vëmendjes së Musk nga teknologjia tek politika.
Analisti Dan Ives nga kompania financiare Wedbush tha se veprimi i Musk vjen në një moment kritik për Teslën dhe se “lodhja e investitorëve” po rritet.
“Ndërsa mbështetësit më besnikë të Musk do ta ndjekin në çdo hap, ekziston një ndjenjë e përgjithshme lodhjeje midis investitorëve të Teslës, të lidhur me këmbënguljen e tij për të ndjekur ambicie politike,” tha Ives.
Ai theksoi gjithashtu se largimi i Musk nga drejtimi aktiv i projektit satirik “Doge” ishte parë si një lehtësim i përkohshëm, por krijimi i Partisë së Amerikës i ka përmbysur ato pritshmëri.
“Situata mori një kthesë për keq me këtë njoftim,” tha ai.
Kjo lëvizje e Musk pritet të trazojë jo vetëm botën politike amerikane, por edhe të ndikojë në të ardhmen e kompanive të tij më të mëdha, përfshirë Teslën dhe SpaceX, në një kohë kur konkurrenca dhe sfidat teknologjike janë në rritje.