Sun, Jul 6, 2025

‘Ndërhyrjet’ e kryeministrit në bashkinë e Tiranës dhe Vlorës, Tedi Blushi: Atentat ndaj Kushtetutës, precedent i rrezikshëm që minon demokracinë lokale

  • PublishedJuly 6, 2025

‘Ndërhyrjet’ e kryeministrit në bashkinë e Tiranës dhe Vlorës, Tedi Blushi: Atentat ndaj Kushtetutës, precedent i rrezikshëm që minon demokracinë lokale

Partia e Lirisë kanë hedhur akuza ndaj Kryeministrit Edi Rama për ndërhyrje të drejtpërdrejtë në punët e brendshme të bashkive, referuar në vendimet dhe veprimet e fundit në Bashkinë e Tiranës dhe Bashkinë e Vlorës, të cilat, sipas PL-së, përbëjnë një shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe një goditje ndaj autonomisë vendore.

Në një dalje për mediat, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, deklaroi se veprimet e Kryeministrit përbëjnë një “atentat ndaj reformës territoriale”.

“Këto akte janë një përpjekje për të vendosur kontroll absolut mbi të gjitha pushtetet, duke e kthyer qeverisjen vendore në një zgjatim të pushtetit qendror”, thuhet në deklaratën e Blushit.

Sipas Partisë së Lirisë, ndërhyrjet e kryeministrit cënojnë thelbin e reformës territoriale, e cila synonte forcimin e vetëqeverisjes lokale dhe decentralizimin e pushtetit.

PL i bën thirrje institucioneve kushtetuese dhe komunitetit ndërkombëtar të reagojnë ndaj kësaj situate, që sipas tyre rrezikon demokracinë vendore dhe llogaridhënien publike në nivel lokal.

Në emër të Partisë së Lirisë, Blushi ka bërë 5 kërkesa konkrete:

1-Ndalimin e menjëhershëm të ndërhyrjeve politike në bashki

2-Respektimin rigoroz të autonomisë vendore

3-Angazhimin e institucioneve të brendshme dhe ndërkombëtare për të garantuar ligjshmërinë

4-Marrjen e masave ligjore ndaj çdo shkeljeje që cënon ndarjen e pushteteve

5-Thirrjen e Kongresit të Autoriteteve Lokale të Këshillit të Europës për të monitoruar situatën në Shqipëri

Deklarata e plote

Partia e Lirisë dënon me forcën më të madhe ndërhyrjet e përsëritura dhe të paprecedenta të Kryeministrit Edi Rama në punët e brendshme të bashkive, veçanërisht rastet flagrante të ndodhura në Bashkinë e Tiranës dhe së fundmi në Bashkinë e Vlorës.

Këto akte përbëjnë një shkelje të rëndë të parimeve kushtetuese të ndarjes së pushteteve dhe të autonomisë vendore, të cilat janë themele të një shteti funksional dhe demokratik. Për më tepër, ato janë një atentat i drejtpërdrejtë ndaj reformës territoriale dhe decentralizimit, të cilat u ndërtuan mbi parimin që vendimmarrja lokale duhet t’u përkasë institucioneve vendore të zgjedhura me votë të lirë nga qytetarët.

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, në nenin 108, pika 4, përcakton qartë:

“Vetëqeverisja në njësitë vendore ushtrohet nëpërmjet organeve të tyre përfaqësuese.”

Ndërsa Karta Evropiane për Autonominë Vendore, në nenin 3, thekson:

“Me autonomi lokale kuptohet e drejta dhe aftësia efektive e bashkësive vendore për të rregulluar dhe për të drejtuar, brenda ligjit dhe nën përgjegjësinë e tyre, një pjesë të konsiderueshme të çështjeve publike, në interes të popullsisë përkatëse.”

Për rrjedhojë, çdo përpjekje e Kryeministrit për të diktuar vendimmarrje administrative në bashki, për të emëruar apo shkarkuar drejtorë, apo për të urdhëruar ndryshime në drejtimin lokal, përbën një shkelje të hapur të Kushtetutës dhe ligjit për vetëqeverisjen vendore.

Këto veprime nuk kanë asnjë bazë ligjore dhe janë dëshmi e qartë e përpjekjes së Kryeministrit për të vendosur kontroll absolut mbi të gjitha pushtetet, duke e trajtuar shtetin si një strukturë nën varësinë e tij personale dhe politike.

Partia e Lirisë paralajmëron se, nëse këto ndërhyrje nuk ndalohen menjëherë, pushteti vendor rrezikon të degradojë në një zgjatim të thjeshtë të Qeverisë qendrore, duke humbur rolin e tij përfaqësues dhe funksionin si garant i interesit publik të qytetarëve.

Partia e Lirisë kërkon:
1. Të ndalet menjëherë çdo formë ndërhyrjeje politike në punët e brendshme të bashkive;
2. Të respektohet me rigorozitet autonomia kushtetuese dhe ligjore e pushtetit vendor;
3. Të ndërhyjnë institucionet përkatëse, brenda dhe jashtë vendit, për të garantuar zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e autonomisë vendore;
4. Të merren masa ligjore dhe institucionale ndaj çdo akti që cenon ndarjen e pushteteve dhe pavarësinë e organeve vendore të zgjedhura nga qytetarët;
5. Të gjitha shoqatat që përfaqësojnë bashkitë, pa dallim bindjesh politike, të mbajnë qëndrime të qarta për mbrojtjen e autonomisë vendore dhe të ftohet zyrtarisht për të monitoruar situatën Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës në Strasburg, si dhe institucionet përgjegjëse të Komisionit Evropian.

Partia e Lirisë u bën thirrje shoqërisë civile, Këshillit të Europës dhe institucioneve të Bashkimit Europian që monitorojnë ecurinë e reformave demokratike, të reagojnë me vendosmëri ndaj këtij precedentit të rrezikshëm që minon demokracinë lokale dhe rendin kushtetues të vendit.

Shqipëria nuk mund të drejtohet me dorë të hekurt nga një njeri që kërkon të kthejë pushtetin në pronë personale. Demokracia nuk mund të funksionojë pa ndarje pushtetesh dhe pushteti vendor nuk është dekor ceremonial, por themel i një shteti demokratik, funksional dhe pranë qytetarit.