“Synon të destabilizojë BE-në” – Von der Leyen përballet me mocionin e mosbesimit, përplasja me eurodeputetin Piperea
Në prag të seancës vendimtare të së enjtes për mocionin e mosbesimit ndaj saj, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, mbajti sot një fjalim të ashpër në seancën plenare të Parlamentit Europian në Strasburg, duke mbrojtur mandatin dhe integritetin e saj politik.
Mocioni është depozituar nga eurodeputeti rumun Gheorghe Piperea (Grupi ECR), i cili e akuzon Von der Leyen për mungesë transparence lidhur me skandalin “Pfizergate”, që ka të bëjë me komunikimet jozyrtare për blerjen e vaksinave gjatë pandemisë.
Von der Leyen nuk e zbuti tonin:
“Kjo është receta më e vjetër e ekstremistëve – nxit ndarjen, minon demokracinë, përhap teori konspirative”, deklaroi ajo mes duartrokitjeve dhe fishkëllimave nga salla.
Në rreshtin e parë ndodheshin emra të rëndësishëm të Komisionit, si diplomatja e lartë Kaja Kallas dhe komisionerja për konkurrencë Teresa Ribera – sinjal i mbështetjes institucionale që Von der Leyen ka përballë kësaj sfide.
Ajo e akuzoi Piperea për përpjekje të qëllimshme për të destabilizuar institucionet europiane me narrativa të rreme për manipulim zgjedhor, për rishkrim të historisë së menaxhimit të pandemisë dhe për shpifje mbi programet si “Next Generation EU”.
“Mund të zgjedhim të ndjekim z. Piperea në botën e tij të errët, ose të pranojmë të vërtetën: ky është një sulm brutal ndaj unitetit europian”, theksoi ajo.
Votimi për mocionin do të zhvillohet të enjten, ndërkohë që Von der Leyen ka hyrë në garën për një mandat të dytë në krye të Komisionit Europian. Rezultati do të tregojë jo vetëm fatin e saj politik, por edhe fuqinë që do të ketë blloku pro-europian përballë rritjes së ekstremizmit në PE pas zgjedhjeve të qershorit.
