Tue, Jul 8, 2025

Aksidenti fatal që i mori jetën futbollistit Diogo Jota, policia spanjolle zbulon detaje të reja

  • PublishedJuly 8, 2025

Aksidenti fatal që i mori jetën futbollistit Diogo Jota, policia spanjolle zbulon detaje të reja

Hetimet për aksidentin tragjik që i mori jetën futbollistit portugez Diogo Jota dhe vëllait të tij, André Silva, po zbulojnë gjithnjë e më shumë detaje tronditëse.

Sipas policisë spanjolle, të gjitha provat e deritanishme tregojnë se ishte vetë Jota në timon të Lamborghini-t që doli nga rruga në autostradën A52, në Zamora, përpara se të shpërthente në flakë. Dyshohet se automjeti ka qenë duke kaluar shpejtësinë dhe ishte në një tentativë për të parakaluar kur ndodhi përplasja.

Ekspertiza po analizon gjurmët e gomave të mbetura në vendin e ngjarjes, ku mendohet se një shpërthim i papritur i gomës mund të ketë çuar në humbjen e kontrollit. Policia ka theksuar se rruga nuk konsiderohej problematike për aksidente, duke hedhur poshtë zërat për probleme në asfalt.

Aksidenti ndodhi vetëm 11 ditë pas martesës së Jotës me partneren e tij prej vitesh, Rute Cardoso. Çifti kishte tre fëmijë, ndërsa dy vëllezërit po udhëtonin drejt portit të Santanderit, ku Jota do të nisej për t’u rikthyer në Liverpool për stërvitje.

Automjeti u shkatërrua pothuajse plotësisht nga zjarri, duke e komplikuar hetimin. Megjithatë, autoritetet pritet të dorëzojnë së shpejti raportin përfundimtar të ekspertizës për gjykatën.

Ceremonia mortore u mbajt këtë fundjavë në qytetin e lindjes së futbollistit, Gondomar, në Portugali, ku familja, miqtë dhe fansat dhanë lamtumirën e fundit mes dhimbjes dhe pikëllimit.