Avokati Redi Ramaj: Edhe pse u lirua, Salianji mbetet fajtor! Presim zbardhjen e vendimit për ta çuar në Kushtetuese
Avokati Redi Ramaj deklaroi mbrëmjen e së martës në emisionin “Log.” në News24 se edhe pse Ervin Salianji është liruar me kusht nga burgu, ai mbetet teknikisht i dënuar, pasi vendimi i Apelit ende nuk është ankimuar në Gjykatën Kushtetuese.
Ramaj shpjegoi se lirimi me kusht ishte një e drejtë ligjore, e vlefshme për çdo qytetar që ka përmbushur 2/3 e dënimit dhe plotëson kushtet e nevojshme. Sipas tij, kjo nuk ka të bëjë me fajësinë apo pafajësinë e çështjes, por me përmbushjen e kritereve ligjore për lirimin e parakohshëm.
“Lirimi me kusht nuk lidhet me dënimin në themel. Salianji e ushtroi këtë të drejtë sipas ligjit, gjykata pa dokumentacionin dhe vendosi lirimin, pasi nuk ka qenë më parë i dënuar dhe nuk përbën rrezikshmëri,” tha Ramaj.
Ai shtoi se kërkesa për lirimin me kusht është bërë më 27 maj, por vendimi u dha më 8 korrik, pas më shumë se një muaji pritje.
Avokati konfirmoi se mbrojtja po pret ende zbardhjen e vendimit të Gjykatës së Apelit, për ta ankimuar më pas në Gjykatën Kushtetuese, me qëllim që të sfidojnë vendimin që e shpalli fajtor Salianjin për kallëzim të rremë.
Avokati Redi Ramaj: Për çdo qytetar është një e drejtë kur merr një dënim me përfundimi e një periudhe të caktuar të dënimit, me 2/3, këtë të drejtën për të kërkuar lirimin para kohe me kusht për pjesën tjetër të dënimit. Prej 27 majit, ishte afati që mund të kërkonte lirimin me kusht. Iu drejtua gjykatës së Fierit, në bazë të ligjit, u vendos nga gjykata, duke parë dokumentacionin përkatës fakti që nuk ka qenë dënuar më parë, njeri i parrezikshëm.
Si një e drjetë ai e ushtroi këtë të drejtë dhe gjykata ia njohu. Përfitoi si gjithë shqiptarët. Pati vonesa. Më 27 maj u dha kërkesa, vendimi u dha sot më datë 8. Vendimi u dha një muaj e pak. Gjykata krijoi bindjen dhe dha vendimin.
Lirimi para kohe nuk lidhet me dënimin themeli që mori zoti Salianji. Presim zbardhjen e vendimit të Apelit për ta çuar në Gjykatë Kushtetuese.