BE shënjestron shëndetësinë, arsimin, policinë dhe kadastrat si zona korrupsioni

Komisioni Evropian shënjoi veçmas sektorët e shëndetësisë, arsimit, të policisë dhe Agjencinë Shtetërore të Kadastrave si fusha ku rreziku për korrupsion mbetet i lartë, pavarësisht përjekjeve të lavdërueshme të SPAK dhe GJKKO për të luftuar problemin numër një të Shqipërisë. Në raportin e vet vjetor mbi Sundimin e Ligjit, [Link] në të cilin Komision vlerëson gjendjen e sundimit të ligjit në vendet anëtare dhe në vendet kandidate, të publikuar të martën, vihen në dukje dënimi me vendim Apeli i 106 personave në 24 çështje, vendime këto të dhëna mes 1 janarit dhe 31 dhjetorit 2023 në Gjykatën e Posaçme të Apelit, përfshirë zyrtarë të lartë. Raporti vëren gjithsesi se kuadri institucional për parandalimin e korrupsionit “mbetet gjerësisht joefikas”.
“Drejtoria e Përgjithshme Kundër Korrupsionit u transferua nga Ministria e Drejtësisë te Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Korrupsionin në qershor 2024,” vëren raporti.
“Mangësitë vijojnë sa i përket kapaciteteve të kësaj drejtorie për të mbikëqyrur në mënyrë efikase zbatimin dhe vlerësimin e masave parandaluese, krahas vlerësimeve të përgjithshme të rrezikut [për korrupsion],” thuhet në raport.
“Disa përpjekje janë bërë, veçanërisht në fushat me rrezik të lartë për korrupsion, por zbatimi efikas mbetet ende për t’u demonstruar,” thuhet më tutje në raport.
Komisioni duket se iu bashkua shqetësimit të ngritur më herët nga kreu i SPAK, Altin Dumani për mungesën e raportimeve në prokurori nga institucionet publike dhe zyrtarët publikë duke vërejtur se gjatë vitit të kaluar “numri i referimeve ra edhe më poshtë.”
Policia e Shtetit, imazhi i së cilës është dëmtuar rëndë gjatë viteve të fundit nga ekspozimi i një numri zyrtarësh të lartë të përfshirë në strukturat e krimit të organizuar, zë një seksion më vete në raportin e Brukselit si shqetësim i veçantë. Raporti vëren se Agjencia e Mbikëqyrjes Policore e ka shtuar aktivitetin e vet me referimin për ndjekje penale për 463 oficerë policie. Këto përpjekje gjithsesi konsiderohen në raport si jo të mjaftueshme dhe Policia e Shtetit konsiderohet si “ende shumë e prekshme nga korrupsioni”.
Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit (ILDKPKI), institucioni që ka për detyrë të analizojë deklaratat e pasurive të zyrtarëve të lartë për të parë nëse ka apo jo pasuri të pajustifikuar, nuk vlerësohet mirë në raport.
“Mangësitë mbeten në termat e efikasitetit të verifikimit të aseteve dhe interesave nga ILDKPKI, përfshirë profilet me rrezik të lartë,” shënohet në raport.
“Nuk ka pasur progres sa i përket efikasitetit të verifikimit dhe veprime të mëtejshme duket se nevojiten për të verifikuar asetet potencialisht të fshehura përmes entiteteve private apo personave fasadë,” shkruhet në raport.
Raporti vëren se keqpërdorimi i fondeve publike gjatë fushatave elektorale “mbetet shqetësim” pavarësisht iniciativës së ndërmarrë para zgjedhjete të fundit nga KQZ dhe SPAK. Raporti konsideron si “shqetësim” edhe transparencën e kufizuar në prokurimet publike, veçanërisht partneritetet publike-private, ndërsa konsideron si “joefikase” mekanizmat e kontrollit dhe inspektimit të brendshëm në administratën publike, instrumente këto kyç për të garantuar që qytetarët të mos zhvaten gjatë marrëdhënieve me administratën publike.
“Rreziku i korrupsionit është i konsiderueshëm në shëndetësi, arsim si dhe brenda policisë dhe Agjencisë Shtetërore të Kadastrës”, thuhet në raport.
Raporti ka katër kapituj ku njëri i dedikohet medias. Raporti përsërit kërkesat e mëparshme të Brukselit për reformim tërësor ndërsa thekson se shqetësimet për pavarësinë e Radios dhe Televizionit Publik janë shtuar pas procesit të fundit bipartizan në parlament.
“Përqendrimi i lartë në tregun e medias vijon të ndikojë negativisht pavarësinë e medias ndërsa penetrimi i tregut nga grupet e biznesit të profilit të lartë me lidhje politike mbetet një shqetësim serioz,” thuhet në raport.
Masat parandaluese për përqendrimin e pronësisë në tregun e medias konsiderohen “të kufizuara” ndërsa lidhjet e e pronarëve me interesat politike konsiderohen “shqetësim serioz.”