Tue, Jul 8, 2025

Blendi Gonxhja takim me Kryepeshkopin Joan: Fokus në trashëgiminë kulturore dhe bashkëpunimin institucional

  • PublishedJuly 8, 2025

Blendi Gonxhja takim me Kryepeshkopin Joan: Fokus në trashëgiminë kulturore dhe bashkëpunimin institucional

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, është takuar sot me Kryepeshkopin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Fortlumturinë Joani, për të diskutuar mbi mundësitë e thellimit të bashkëpunimit institucional.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ministri Gonxhja e cilësoi takimin si një ndalesë shpirtërore me shumë vlerë, ku të dy palët ndanë ide për përditësimin e bashkëpunimit, me fokus të veçantë tek trashëgimia kulturore, monumentet historike, si dhe çështje të natyrës humane e sociale.

“Midis fjalëve të tij frymëzuese dhe urtësisë, folëm dhe ndamë ide për përditësimin e bashkëpunimit me theks trashëgiminë kulturore, objektet monumentale si dhe çështjet humane e sociale”, shkruan Gonxhja.

Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e asetëve dhe pavarësisë ekonomike për fuqizimin e kapaciteteve misionare të komunitetit fetar, duke vlerësuar kontributin e Kishës Ortodokse në këtë drejtim.

Ministri shprehu gatishmërinë e MEKI për të mbështetur projektet që lidhen me ruajtjen e trashëgimisë dhe promovimin e vlerave kulturore të përbashkëta, duke nënvizuar se puna për këto iniciativa do të nisë menjëherë.

Postimi i plotë

Takova sot Kryepeshkopin e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Fortlumturinë e tij Joanin, për një bashkëbisedim të çmuar mbi rëndësinë e aseteve dhe pavarësisë ekonomike në fuqizimin e kapaciteteve misionare.

Midis fjalëve të tij frymëzuese dhe urtësisë, folëm dhe ndamë ide për përditësimin e bashkëpunimit me theks trashëgiminë kulturore, objektet monumentale si dhe çështjet humane e sociale.

I shpreha gatishmërinë e MEKI dhe vlerësimin për kontributet e derisotshme, duke nisur punën menjëherë për projektet në vijim.

Mes vrapit të përditshëm ishte një ndalesë shpirtërore me shumë vlerë.