Tue, Jul 8, 2025

INTERVISTA/ “Hapësira publike, e rrezikuar nga zaptimet”- Reforma territoriale, eksperti: Duhet rishikim në forcimin e kapaciteteve vendore! Të përmirësohet sistemi i financimit

  • PublishedJuly 8, 2025

INTERVISTA/ “Hapësira publike, e rrezikuar nga zaptimet”- Reforma territoriale, eksperti: Duhet rishikim në forcimin e kapaciteteve vendore! Të përmirësohet sistemi i financimit

VOLTIZA DURO/ Në një kohë kur qytetet shqiptare përballen me probleme të theksuara në menaxhimin e hapësirave publike, diskutohet gjithnjë e më shpesh për dobësinë e autonomisë vendore dhe mangësitë në zbatimin e reformës territoriale. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, eksperti i çështjeve dhe qeverisjes vendore, Agron Haxhimali, flet hapur për sfidat reale që përjetojnë bashkitë në Shqipëri, për kontrollin e territorit, për ndërhyrjet nga qeveria qendrore dhe për nevojën urgjente për rishikimin e prioriteteve në reformën territoriale.

Eksperti thekson se hapësira publike në Shqipëri është e rrezikuar nga zaptimet, keqpërdorimi dhe mungesa e mbrojtjes ligjore efektive në një kohë që bashkitë nuk kanë kapacitetet teknike, burimet njerëzore dhe mbështetje nga institucionet qendrore për të garantuar zbatimin e ligjit. Lidhur me reformën territoriale, ai thotë se ka arritur disa objektiva, por ka dështuar në garantimin e aksesit të barabartë të qytetarëve në shërbime, veçanërisht në zonat periferike dhe rurale.

Z. Haxhimali, në shumë qytete të Shqipërisë po diskutohet për zaptimin e hapësirave publike, sidomos në zonat urbane. Sa e rrezikuar është sot hapësira publike në vend dhe cilat janë përgjegjësitë që bien mbi bashkitë?

Hapësira publike në Shqipëri është e rrezikuar nga zaptimet, keqpërdorimi dhe mungesa e mbrojtjes ligjore efektive. Bashkitë kanë detyrimin ligjor për menaxhimin dhe mbrojtjen e saj, por shpesh mungojnë kapacitetet teknike, burimet njerëzore dhe mbështetja nga institucionet qendrore për të garantuar zbatimin e ligjit. Por ka edhe raste paligjshmërie nga neglizhenca, mungesa e transparencës dhe korrupsioni. Kontrolli territorit është detyrë thelbësore e bashkive për të siguruar një qytet të jetueshëm. Këto hapësira janë zemra e komunitetit.

Shpesh kemi parë ndërhyrje sporadike të bashkive për lirimin e trotuareve apo parqeve nga ndërtimet pa leje. A po veprohet me një plan të qëndrueshëm apo ende dominojnë ndërhyrjet selektive dhe politike?

Në shumicën e rasteve, ndërhyrjet janë sporadike dhe jo pjesë e një strategjie të qëndrueshme urbane. Ato ndjekin impulse politike apo presione publike momentale, duke munguar një plan afatgjatë për inventarizimin, mbrojtjen dhe zhvillimin e hapësirave publike. Nëse shumë mirë që po çlirohen, po aq mirë do jetë nëse do të vazhdojë mirëmbajta e këtyre hapësira. Ndaj duhet që bashkitë të bëjnë këtë punë në rutinën e tyre dhe jo me aksione dhe ultimatume.

Çfarë roli luajnë qytetarët dhe organizatat e shoqërisë civile në mbrojtjen dhe monitorimin e hapësirave publike? A kemi një kulturë të mjaftueshme të angazhimit qytetar për këtë çështje?

Pjesëmarrja qytetare në monitorimin e hapësirave publike është ende e dobët, për shkak të mungesës së transparencës nga bashkitë dhe një kulture të brishtë të angazhimit publik. Shoqëria civile ka rol thelbësor si aktor mbikëqyrës dhe partner, por shpesh mbetet jashtë vendimmarrjes. Këtu ka dy aspekte: 1-Mosangazhim i qytetarëve duke u pajtuar me situatën. Kjo është mendësi që duhet të ndryshojë. 2-Kur ka reagim qytetar që injorohet nga institucionet lokale dhe qendrore.

A mund të flasim realisht sot për një autonomi funksionale të njësive të qeverisjes vendore në Shqipëri? Apo kemi thjesht një decentralizim formal, ndërsa vendimmarrja dhe fondet qëndrojnë ende në qendër?

Autonomia vendore është më shumë formale se funksionale. Kompetencat janë të transferuara në letër, por burimet financiare, njerëzore dhe liria për të marrë vendime strategjike vijojnë të varen nga qeveria qendrore, duke prodhuar një model varësie vertikale. Por këtu ka në dorë mjaft lidershipi bashkiak, kryetari dhe këshilli bashkiak. Brenda hapësirave ligjore, ata duhet të demonstrojnë pushtetin që kanë marrë direkt nga votuesit. Por këtë e bëjnë nëse janë në nivelin e duhur të përmbushjes së detyrave dhe me integritet të lartë politik dhe profesional. Pra, autonominë që iu jep Kushtetuta, karta evropiane e autonomisë vendore dhe ligji duhet ta mishërojnë me dinjitet vetë. S’kanë pse presin bashkitë t’i kujtojë qeveria për të çliruar hapësirat publike. S’duhet kryetarët të pranojnë që Kryeministri vetë apo me grupe pune vertikale të ndërhyjë në punët administrative të bashkisë, kur e pranojnë normal që kanë lëshuar territor.

Në raport me vendet e rajonit, ku qëndron Shqipëria për sa i përket decentralizimit fiskal dhe kompetencave reale që kanë bashkitë?

Shqipëria me gjithë progresin e bërë renditet jo mirë në rajon për sa i përket decentralizimit fiskal administrativ dhe politik. Por kjo varet shume edhe nga tipologjia e dhe nga pesha që kanë apo merr pushteti qendror në vende të ndryshme. Në Shqipëri prezantohet më kontrollues ndaj pushtetit vendor. Bashkitë për pjesën që kontrollojnë padiskutim duhet të kenë një performacë shumë më të mirë.

Cilat janë pengesat kryesore që i ndalojnë bashkitë shqiptare të jenë më efektive në menaxhimin e territorit, infrastrukturës dhe shërbimeve për qytetarët?

Pengesat kryesore janë mungesa e autonomisë buxhetore, kapacitetet e ulëta administrative dhe teknike, fragmentimi i kompetencave dhe mungesa e planifikimit territorial të integruar. Po ashtu, mungon një sistem efikas të monitorimit të performancës bashkiake. Bashkëpunimi i vazhdueshëm ndërinstitucional dhe përgjegjshmëria administrative.

Si e shihni raportin mes qeverisë qendrore dhe pushtetit vendor sot? A është një raport bashkëpunimi apo mbizotëron ndonjëherë fryma e kontrollit politik dhe varësisë?

Raporti ndërmjet qeverisë qendrore dhe bashkive shpesh është asimetrik dhe i politizuar. Bashkëpunimi ekziston në letër, por në praktikë dominon kontrolli politik dhe ndërhyrja në kompetenca që janë, me ligj, të pushtetit vendor. Këtu kërkohet një zë më i fortë, gjithëpërfshirës dhe unik i të zgjedhurve vendorë. Problemet dhe shërbimet komunale janë përtej çdo partie.

Prej vitesh flitet për nevojën për rishikim të reformës territoriale të vitit 2015. A mendoni se kjo reformë i ka arritur objektivat e saj fillestare?

Reforma ka arritur disa objektiva si rritja e kapacitetit institucional dhe racionalizimi i strukturave, por ka dështuar në garantimin e aksesit të barabartë të qytetarëve në shërbime, veçanërisht në zonat periferike dhe rurale. Zbatimi ka qenë i cunguar. Bashkitë duhet të punojnë më shumë për të gjetur mekanizma për zhvillimin e ekonomisë lokale. Janë ngritur shqetësime se bashkitë e mëdha kanë centralizuar shërbimet dhe i kanë lënë njësitë administrative periferike të përjashtuara.

A po rritet pabarazia brenda vetë territorit të bashkive të mëdha?

Po, ka një tendencë të theksuar të centralizimit të shërbimeve në qendrat bashkiake, duke lënë njësitë administrative periferike të përjashtuara. Kjo krijon një pabarazi territoriale të brendshme që bie ndesh me parimin e zhvillimit të qëndrueshëm. Kjo ka ndikuar ne faktin që ngrihen shqetësime se bashkitë kanë harruar fshatin, por e konstatuar 10 vite pas reformës që është shumë e vonuar. Kjo ka bërë që shumë fshatra të boshatosin dhe për rrjedhojë, ekonomia bujqësore të ulët, gjë që dëshmohet me faktin e thjeshte se deri para 4-5 vitesh bujqësia kontribuonte me 25% në GDP dhe në 6-mujorin e parë të vitit 2025, ky kontribut ka rënë në 16.7%.

Cilat elemente të reformës aktuale duhet patjetër të rishikohen nëse do të ndërmerret një fazë e dytë e reformës? A ka vend për ndarje të reja territoriale apo për forcim të kapaciteteve ekzistuese?

Rishikimi duhet të fokusohet në forcimin e kapaciteteve vendore, përmirësimin e sistemit të financimit dhe vendosjen e mekanizmave për matjen e performancës. Nuk është prioritet ndarja e re territoriale, edhe pse mbetet opsion, por konsolidimi i strukturave ekzistuese dhe garantimi i aksesit në shërbime.

Në kushtet kur shumë zona rurale po përjetojnë shpopullim dhe mungesë investimesh, a duhet të mendohet një formulë më fleksibile e ndarjes administrative që reflekton realitetin demografik?

Në kushtet e shpopullim it rural dhe ndryshimeve demografike, kërkohet një model më fleksibël qeverisjeje vendore. Zgjidhjet mund të përfshijnë forma të bashkëqeverisjes ndërbashkiake, delegim të funksioneve në nivel mikro dhe politika të diferencuara zhvillimore. Por, imediate janë politikat për të zhvilluar fshatin dhe bujqësinë. Mendoj se duhet të kthehet në prioritet kombtër kjo çështje duke ndërhyrë në sistemimin e çështjeve pronësore, investime në infrastrukturë rrugore rurale, mbështetje për fermerë pa burokraci, mbështetje për familje bujqish, investime në sistemin vaditës dhe kullues, të cilët përbëjnë shtyllat mbajtëse të ecurisë bujqësore si dhe mekanizma të tjerë që nxisin dhe rritin zinxhirin e vlerave në aspektin ekonomik, social vazhdimësi dhe qëndrueshmëri. Këto ndërhyrje dhe masa, nëse realizohen, bëjnë që jetesa dhe ekonomia në zona rurale dhe në fshatra të jetë fitimprurëse dhe jo e disavatazhaur.

/Gazeta Panorama