Mesazhe politike dhe vlera artistike të “Kandidati për kandidat”
NGA DR. JORGJI KOTE
Romani i sapopromovuar “Kandidati për kandidat” i autorit Arben Çejku vjen si një befasim i bukur në fushën e botimeve letrare. Kjo në radhë të parë falë tematikës përvëluese të librit, ku përshkruhen artistikisht procedurat e brendshme partiake me plot trille dhe truke në prag të zgjedhjeve parlamentare të radhës. Temë brengosëse kjo dhe tani kur pas gati 35 viteve demokraci pluraliste, zgjedhjet e lira dhe të ndershme, ndër parimet e shenjta bazë të dekalogut demokratik mbeten ende të parealizuara. Jehona dhe interesi për këtë roman, i pari i këtij autori, buron edhe nga fakti se si diplomat dhe ambasador në periudha të brishta dhe nevralgjike në Tiranë, Prishtinë dhe në Shkup, si analist dhe publicist i spikatur gjeopolitik, Arben Çejku është dhe vëzhgues i vëmendshëm i proceseve zgjedhore. Ai drejton dhe një “think tank” mbi mirëqeverisjen, çka ia lehtëson depërtimin në thelb të kësaj tematike ulëritëse. Ngjarjet dhe personazhet e romanit na çojnë natyrshëm te burimi dhe shkaqet themelore të dobësive dhe dështimeve të partive tona politike, të cilat mbajnë barrën dhe përgjegjësinë kryesore për përgatitjen e proceseve zgjedhore, duke filluar nga kërkimi, zbulimi, paraqitja dhe miratimi i kandidaturave për deputetë.
Në roman tregohet se ky proces sa vjen dhe vështirësohet për shkak të shtimit të epshit politik dhe etjes së pangopur për përfitime dhe privilegje për pushtet, para, famë, teka dhe qejfe, për vete, fisin, lobistët dhe rrjetet nepotike gjithandej. Autori përshkruan me realizëm dukuritë negative në përzgjedhjen dhe paraqitjen e kandidatëve për deputetë nëpërmjet tematikave të gjera, dinamike dhe të larmishme. Satira, ironia dhe notat e sarkazmës e shtojnë kureshtjen dhe kënaqësinë te lexuesi. Për këtë qëllim ai ka krijuar një galeri interesante dhe intriguese me 15 personazhe tipikë me emra kontradiktore dhe me nota satire dhe që sot i gjen në masë nga lideri i partisë, Tomor Erzeni, sekretari i përgjithshëm Skifter Bufi, shefi i shtabit zgjedhor Breg Kodra, deputeti veteran, Pajtim Karari dhe drejtuesja e seksionit të partisë të zonës zgjedhore, Mimoza Lastari. Dhe pastaj me radhë, personazhi kryesor “kandidati për kandidat” me motrën, bashkëshorten dhe magjistaren, kandidatja e re nga media Puhiza Fresku, Qetësor Bubullima nga emigrimi, agronomja/kopshtare e dalluar, Trëndafile Ferra, profesori veteran i fizkulturës Shpejtim Ngadalësia dhe përfaqësuesi i brezit më të ri, Qëndrim Fluturaku. Bie në sy se personazhi qendror, avokat i njohur, nuk ka emër, por quhet vazhdimisht “kandidati për kandidat”. Kjo për të dhënë mesazhin se këtu nuk kemi të bëjmë thjesht me fatin e një/ disa kandidatëve në fushatat parazgjedhore, por me një dukuri të përhapur gjerësisht dhe për të theksuar faktin se me gjithë përpjekjet dhe alternativat e shumta, Partia nuk e bëri kandidat për deputet!
Në roman ka një krahasim të gjetur dhe të shprehur me gojën e vetë kandidatit për kandidat midis monizmit dhe sistemit shumëpartiak të 35 viteve të fundit. Sipas tij, “dora e Partisë” tani nuk është më si një dorë monizmi si dikur, por edhe më keq, sepse nga një, janë bërë disa duar, nga të cilat nuk shpëton dot, sepse nëse njëra të mban, të lëshon tjetra; nëse njëra të ngrinte, tjetra të ul, nëse njëra të rrotullonte, tjetra të ndal dhe secila prej tyre zgjohej fshehtazi që nga prapaskena. Për pasojë, “hallexhinjtë dhe nevojtarët luftën më të madhe duhet ta bëjnë për të gjetur dhe kapur ‘dorën e duhur në vendin dhe në kohën e duhur’, dorën që u jep mundësinë të fitojnë të drejtën që u takon”. Ne që e kemi jetuar atë periudhë, e dimë fort mirë se si kandidatët atëherë i miratonte udhëheqja më e lartë e Partisë dhe vetë NJISHI i saj, ndonëse formalisht i paraqiste Fronti Demokratik, por edhe sot ata i vendos dhe i paraqet Partia dhe përjashtimisht kryetari i saj. Të gjithë kanalet e tjera janë krejt formale, ato u nënshtrohen diktatit, tekave dhe humorit të liderit. Romani tregon bindshëm se kalimi në të gjitha këto labirinte është një odise shumë e mundimshme, me kthesa të forta dhe të papritura, me të përpjeta e të tatëpjeta, me kanale paralele raportimi të nëndheshme, duke përfshirë dhe SHIP ose Shërbimi Informativ i Partisë, një rrjetë e gjerë informatorësh okultë. Të gjitha këta aktorë dhe faktorë e mbajnë pezull deri në fund fatin e një kandidati për deputet. Kjo për shkak të pazareve në prapaskenë nga kandidatë pa vlera dhe alternativa, por që premtojnë thasë me para; “sepse sa më i madh të jetë thesi me para, aq më e madhe dhe mundësia për t’u ngritur lart në parti dhe në pushtet”.
Kjo tregohet me mjaft vërtetësi nëpërmjet kandidatit Qetësor Bubullima, i ardhur nga emigrimi, i cili pothuajse nuk bën fare fushatë. Por, “ai punonte në heshtje, me miq e me shokë, me para në dorë, me qerasje e premtime, duke kërkuar votën e anëtarësisë, si për një njeri të thjeshtë të popullit… dhe se u duhej thënë ‘mjaft’ vjetërsirave si deputeti Pajtim Karari; tashmë ai do paguante për veten e tij duke shfrytëzuar kafenenë dhe kompaninë e vet të mallrave me shumicë “Shit&Shit”. Në libër shihet qartë se procedurat dhe përgatitjet parazgjedhore të partive tona politike, ndonëse nga ana e jashtme paraqiten si produkte dhe “vjelje” e mendimit të masave, në fakt, janë tablo dhe shfaqje të demarsheve të fshehta në zyrat, skutat dhe korridoret e pushtetit/opozitës. Ndaj dhe në roman diskutimet dhe debatet mes zgjedhësve dhe kandidatëve zënë fare pak vend; nuk dëgjohen e nuk shihen programe dhe alternativa politike, sepse tani ato realisht nuk bëjnë më diferencën si dikur dhe as ushtrojnë ndonjë ndikim në përzgjedhjen e kandidaturave. Për pasojë, siç del qartë dhe në roman, kandidatët dhe mbështetësit e tyre janë numra, garnityrë publike dhe imazhi, ndërsa kryesitë dhe komitetet e partive janë “notere”, ose sa për të ngritur kartonët e miratimit të njerëzve që vendosen nga lart. Ka kryesisht shfaqje, parodi, spektakël, imazh, folklorizëm politik, sepse edhe publiku tanimë tërhiqet më shumë nga pamja se sa thelbi, nga spektakli se realizimet; ai nuk tërhiqet më nga militantët klasikë, por nga vajzat e reja plot hire si Puhiza Fresku, talenti i ri që katapultohet në parti edhe pse pa asnjë kontribut, kryesisht falë joshjes mediatike dhe hireve femërore. Këtu autori na tregon dhe dinamikën e këtij procesi, duke e vënë atë në balancë me shefen e Partisë së zonës, Mimoza Lastari. Kjo e fundit me goxha karrierë në parti, e plotfuqishme, duke ndërhyrë kur partia është në pushtet kudo për emërime etj.. Gjithsesi, Puhiza Fresku i nxjerr “jashtë loje” paraardhëset dhe vetë Mimozën, pavarësisht nga karriera e tyre e gjatë në parti. Kjo mbasi siç thuhet në roman “Figura të reja politike, ose Mimoza të reja çelin gjithmonë në kopshtin e madh të Partisë, kësisoj, udhëheqja i cakton vendin e merituar gjithsecilit, nuk mban në prehrin e saj vetëm një Mimozë, por ajo duhet ndërruar, me qëllim që freskia dhe bukuria të shkojnë bashkë. Çdo lule e re e Partisë duhet të trajtohet sipas vlerave që shpalos dhe me kalimin e kohës ato vendosen në vazot përkatëse”.
Më tej, në roman jepet mesazhi i qartë se po të dëgjohej vërtet zëri i zgjedhësve dhe të ndiqeshin procedurat e njohura perëndimore në hierarkinë tonë partiake, atëherë do të kishte vërtet demokraci të brendshme dhe nuk do të shfaqeshin dukuritë e shëmtuara të kriminalizimit të institucioneve partiake, shtetërore dhe parlamentare dhe vendore. Në fakt, Partia, si një fidanishte e kuadrit, duhet t’i njohë “me dhëmbë e dhëmballë” kandidaturat dhe veprimtarinë e tyre partiake dhe publike, pa qenë nevoja për patronazhistë dhe burime të tjera e as për kryqëzime informacioni nga struktura të shumta dhe okulte të partisë. Sepse të gjithë këta elementë së bashku nuk e zëvendësojnë dot veprimtarinë e përditshme qytetare të kandidatëve që i gjen me shumicë në çdo parti brenda dhe jashtë vendit. Autori Arben Çejku ka portretizuar me mjeshtëri artistike Pajtim Kararin, deputetin veteran të zonës, prototipi i deputetit të vjetër “me frymë sovjetike”; dikur ai i ka bërë nder gjatë procesit të privatizimit babait të liderit të Partisë, Tomor Erzeni dhe si shpërblim vegjeton si deputet, ndaj dhe shqetësimi i vetëm i deputetit Karari mbetet si ta shtyjë praninë e tij në Kuvend. Falë horizontit të gjerë kulturor, autori bën digresione intriguese, duke iu referuar “Shpirtrave të vdekur” dhe Çiçikovit të Gogolit të famshëm. Dallimi është se Çiçikovi udhëton me karrocë, ndërsa Karari përdor makinë dhe në vend të “shpirtrave të vdekur”, deputeti “blen votat e të vdekurve”. Dhe nëse më parë kishte nofkën “Karar maniveli” se kishte punuar në një uzinë mekanike, nisur nga metodat e tij të punës e quajnë “Karar makiaveli”!
Më tej në roman ka pasazhe që na rikujtojnë historinë me listat e hapura, ku dhe në zgjedhjet e 11 majit pati përplasje edhe brenda kampeve partiake. Këtë autori e ka sintetizuar me parullën “të gjithë kundër të gjithëve dhe të gjithë për Partinë”. Mbi të gjitha, romani përshkruan me fabula të larmishme fatin mjeran të kandidatëve për kandidatë idealistë, të cilët mendojnë se me sjellje dinjitoze, me qëndrime parimore, me marrëdhënie të ngushta me zgjedhësit dhe hallet e tyre të përditshme mund të bëhen kandidatë për deputetë. Kjo bindje përforcohet dhe nga ideja dhe imazhi që sajojnë të deleguarit e partisë deri te kryetari Tomor Erzeni, duke provokuar te kandidatët pritshmëri të rreme dhe përçarje mes tyre. Autori ka treguar me vërtetësi fetishizimin e liderit, urdhrat e të cilit konsiderohen ferman nga Zoti. Kjo e bën procesin zgjedhor partiak akoma më të paparashikueshëm. Kandidati për kandidat, i inkurajuar falë dhe numrit 11, kati ku u ngjit gabimisht në fillim me ashensor në pallatin e tij, pastaj lajmi mbi zgjedhjet në nëntor, prapë muaji i 11-të dhe sërish me datën, numrin hyjnor 11 dhe mendimi i magjistares/fallxhores, ku shkoi dhe u konsultua me motrën e vet të ardhur nga larg pësoi zhgënjimin e tij të dytë. Ai mbetet orë e çast në pritje të një mesazhi apo telefonate nga lideri i Partisë, me frikën e vazhdueshme se po të mos i përgjigjej 2 herë, siç i kishte thënë Shefi i Shtabit Zgjedhor, Breg Kodra, ky do të ishte fundi i tij.
Madje, e la dhe makinën e filloi të ecte me këmbë vetëm e vetëm që të mos humbiste zilen e Kryetarit. Romani shënon kulmet e veta me momentet e fundit të pranisë në ceremoninë mortore të vjehrrit që vdiq papritur, ku kandidati për kandidat mbetet në një ankth të madh, në pritje të telefonatës nga lideri, por që nuk erdhi asnjëherë, çka shënoi dhe fundin e ëndrrës së tij. Pyetja dhe çështja madhore këtu është se kur partitë tona nuk sigurojnë dot demokracinë e tyre të brendshme, si mund të garantojnë ato demokraci dhe shtetin e së drejtës jashtë tyre dhe në të gjithë vendin në pushtet? Si mund të garantojnë ato qeverisje të mirë sipas modelit të BE-së në të gjitha nivelet? Si mund të shmanget kriminalizimi i politikës, si mund të fitohet lufta ndaj korrupsionit dhe të sigurohet karriera e duhur partiake, politike, civile dhe institucionale? Romani të mbërthen nga faqja e parë deri në fund me stilin e tij dinamik, të thjeshtë, me ekonomi fjale që autori e ka shumë për zemër dhe në komunikimin gojor, me doza humori, me një ndërthyrje të natyrshme të personazheve, narrativës dhe fabulave intriguese, sa nuk e le dot pa e përfunduar me një frymë librin. Ky është romani i parë te ne që shtjellon tematikën e veçantë zgjedhore, që pasqyron artistikisht realitetet tona partiake dhe politike, duke na ndihmuar të kuptojmë nëpërmjet letërsisë rrënjët e të këqijave në vendin tonë. Romani i Arben Çejkut tingëllon tejet aktual tani kur te ne vazhdon jehona e zgjedhjeve të 11 majit. Në përfundim të librit, të vjen ndërmend paralajmërimi i ish-Kancelarit të hekurt gjerman Otto von Bismarck kur thotë se, “ka dy gjëra që njeriu nuk duhet t’i shohë kur gatuhen – salçiçet dhe politikën”. Romani “Kandidati për kandidat” është një ndër dëshmitë më të freskëta dhe bindëse të kësaj këshille të mençur dhe aktuale.