Ronaldo në jaht, Cruz në Greqi/ Kur rehatia personale vlen më shumë se përgjegjësia
Cristiano Ronaldo dhe Ted Cruz: dy figura të njohura në botë, në fusha krejt të ndryshme, por me një sjellje që ngjason çuditërisht në thelb; shmangie ndaj një përgjegjësie publike, për hir të rehatisë personale. Të dy u gjendën në qendër të vëmendjes për të njëjtën arsye: vendosën të mos e prishin qetësinë e pushimeve, edhe pse përreth tyre kishte dhimbje, krizë dhe pritshmëri.
Në rastin e Ronaldos, gjithçka nisi pas vdekjes tragjike të Diogo Jotës, bashkëlojtarit të tij në kombëtaren portugeze. Lajmi tronditi gjithë vendin. Varrimi i Jotës ishte një ngjarje e rëndë dhe me shumë simbolikë për futbollin portugez.
Por Ronaldo nuk mori pjesë. Arsyeja zyrtare që dha ishte “për të ruajtur privatësinë e familjes Jota” dhe për të mos krijuar “një spektakël mediatik” që do të tërhiqte vëmendjen nga dhimbja. Një arsye që në letër mund të duket e kuptueshme.
Por situata u komplikua kur, vetëm pak ditë pas varrimit, Ronaldo u fotografua i buzëqeshur në jahtin e tij luksoz, në një destinacion veror, me familjen pranë. Dhe komentet nisën menjëherë. Nëse nuk kishte dashur të tërhiqte vëmendje, pse zgjodhi pikërisht atë moment për t’u shfaqur në mënyrë aq publike? A nuk ishte ky, në vetvete, një “spektakël tjetër”?
Rastësisht, në të njëjtën periudhë, një tjetër figurë publike, këtë herë në politikë, përjetoi një episod të ngjashëm. Senatori amerikan Ted Cruz ndodhej me pushime në Greqi kur përmbytjet masive goditën shtetin e tij, Teksasin. Qindra shtëpi u përmbytën, njerëzit humbën gjithçka, ndërsa senatorit të zgjedhur për t’i përfaqësuar nuk iu prish qetësia.
U fotografua duke vizituar Parthenonin, tempullin e lashtë grek në Akropol dhe pamjet bënë xhiron e botës. Zëdhënësit e tij deklaruan se ai u kthye “sa më shpejt që ishte e mundur”, por dokumentet e fluturimit treguan se mund të ishte kthyer edhe më herët, nëse do të donte.
Kjo nuk ishte hera e parë. Në vitin 2021, gjatë një tjetër krize në Teksas, këtë herë për shkak të temperaturave të acarta që lanë mijëra njerëz pa energji, Cruz u largua me familjen për në Cancun, në Meksikë. I kapi vala e kritikave dhe u kthye vetëm pas presionit publik.
Në thelb, të dy rastet ngrejnë të njëjtën pyetje: a i bën fama njerëzit më pak të ndjeshëm? Kur ke arritur majat, kur je aq i suksesshëm sa Ronaldo në futboll apo Cruz në politikë, a bëhet e lehtë të harrosh përse të ndjekin njerëzit? A krijon fama një flluskë ku përgjegjësitë zbehen dhe rehatia personale merr përparësi ndaj detyrimit moral?
Nuk është qëllimi të gjykojmë me ashpërsi. Askush nuk mund të diktojë si duhet të përballesh me dhimbjen. Por kur je figurë publike, çdo vendim i tillë, sado personal, bëhet gjithmonë politik. Dhe në fund, njerëzit nuk të kujtojnë për çfarë the, por për çfarë bëre… apo nuk bëre. Në këtë rast, të dy nuk bënë. Dhe kjo, edhe pse e trishtë, është shumë më domethënëse sesa çdo fjali që mund të kishin thënë!