ZYRTARE/ Pajaziti gati për eksperiencën e re, bëhet pjesë e ekipit kampion
Ashtu siç pritej, Adrion Pajaziti është transferuar te skuadra e Hajdukut të Splitit.
Pajaziti, do të jetë pjesë e kampionëve të Kroacisë deri në verën e vitit 2029.
“HNK Hajduk dhe Fullham FC kanë gjetur marrëveshjen për transferimin e 22-vjeçarit Adrion Pajaziti, i cili ka nënshkruar kontratë me të bardhët deri në verën e vitit 2029. Mesfushori i ri i bashkohet sot stërvitjeve të skuadrës dhe do të mbajë numrin 4 në fanellën e tij te Hajduk. Ai do të prezantohet zyrtarisht në një konferencë për mediat të mërkurën. Mirë se erdhe te Hajduku Adrion! Ne të urojmë shumë fat, suksese dhe performanca të mira me fanellën e bardhë”, shkruhej në njoftim.
Kartoni i Pajazitit zotërohej nga Fulham, ndërsa së fundmi u aktivizua në radhët e Goricës. Ai ka luajtur dy ndeshje me Shqipërinë A, sakaq numëron 13 ndeshje me Shqipërinë U21.