Wed, Jul 9, 2025

25 vite burg për Gjergj Cukalin, Apeli i GJKKO lë në fuqi vendimin e shkallës së parë

  • PublishedJuly 9, 2025

25 vite burg për Gjergj Cukalin, Apeli i GJKKO lë në fuqi vendimin e shkallës së parë

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi dënimin me 25 vite burg për Gjergj Cukalin, i njohur ndryshe si shok i Emiljano Shullazit. Vendimi vjen pas shqyrtimit të ankesave ndaj vendimit nr. 49, datë 31.07.2024 të shkallës së parë, që sanksiononte masat për një grup të përfshirë në vepra të rënda penale.

Cukali, i akuzuar për vendosjen e tritolit në makinën e biznesmenit Gjon Mena, nuk përfitoi ulje dënimi dhe do të vuajë të plotë vendimin e dhënë më herët.

Ndërkohë, për të pandehurin E.J., i cili u pranua si bashkëpunëtor i drejtësisë, Apeli vendosi ulje dënimi në 7 vite burg, në zbatim të nenit 28/7 të Kodit Penal.

Për një tjetër të akuzuar, B.D., Apeli la në fuqi dënimin me 18 vite burg për “Vrasje me dashje”, mbetur në tentativë dhe kryer në bashkëpunim në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, në dëm të shtetasit A.B. Dënimi i tij u bashkua në një të vetëm prej 18 vitesh, sipas nenit 55 të Kodit Penal.

Vendimi u shpall më 9 korrik 2025, nga trupa gjykuese e përbërë nga Tereza Merkaj (kryesuese), Engert Pëllumbi dhe Igerta Hysi. Të pandehurit kanë të drejtë të bëjnë rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve nga dita e njoftimit të vendimit të arsyetuar.

Shpenzimet gjyqësore për të gjithë procesin, përfshirë edhe gjykimin në apel, u ngarkohen solidarisht të pandehurve.

Vendimi i Apelit të GJKKO-së:

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Tereza Merkaj (kryesuese), Engert Pëllumbi (anëtar) dhe Igerta Hysi (anëtare), më datë 09.07.2025, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 14 akti, datë 21.01.2025 regjistrimi, mbi ankimin e paraqitur nga të pandehurit Gj.C., E.J., E.J., B.D., P.(B.)P., dhe F.B., ndaj vendimit nr. 49, datë 31.07.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe vendosi:

I. Lënien në fuqi të vendimit nr. 49, datë 31.07.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me këtë ndryshim:
1. Në aplikim të nenit 28/7 të K.Penal të pandehurit E.J. në cilësinë e bashkëpunëtorit të drejtësisë, i ulet dënimi dhe përfundimisht dënohet me 7 (shtatë) vite burgim.
2. Dënimin e të pandehurit B.D. për kryerjen e veprës penale “Vrasja me dashje”, në dëm të shtetasit A.B., mbetur në tentativë dhe kryer në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 76-22-28/4 të K.Penal dhe në zbatim edhe të nenit 334/1 të K.Penal, me 18 (tetëmbëdhjetë) vjet burgim.
3. Në bashkim të dënimeve, në bazë të nenit 55 të Kodit Penal, dënimin e të pandehurit B.D. me një dënim të vetëm prej 18 (tetëmbëdhjetë) vjet burgim.
II. Shpenzimet gjyqësore edhe për gjykimin në nivel apeli i ngarkohen solidarisht të pandehurve.
III. Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar.

U shpall në Tiranë, sot më datë 09.07.2025.