Cilat janë parësore, hapësirat publike apo interesat jetike…?
NGA XHEVAT MUSTAFA
Vendimi apo nisma e katër herë Kryeministrit Edi Rama për çlirimin apo rikthimin qytetarëve të hapësirave publike, pushtuar nga bar-kafetë, qebaptoret, byrektoret… për të mos ia ngrënë hakën asnjë lek apo cent, meriton përgëzime, mbështetje dhe mirënjohje. Sidomos për faktin se shumë lokale kishin zënë prej kohërash të gjata, me leje gjysmake, gojore e zarfore apo krejt me kokën e vet, hapësira të mëdha, edhe në trotuare, duke i detyruar kështu qytetarëve të rrezikonin jo rrallëherë sherre, duke u përplasur me njeri-tjetrin me supe e qese apo aksidente, duke zbritur në anë të rrugëve. Por, edhe duke ua shtuar banorëve gjatë gjithë ditës, deri në mbrëmje vonë, edhe ndotjen e ajrit e të ambientit përreth, edhe ndotjen akustike… Por, edhe rreziqet për sherre pijanecësh, grindavecësh, specialistësh për gjithçka, për parti e kryetar, për Rusi e Ukrainë; për Izrael e Gaza dhe Iran; për Trump e Putin…, për Macron e Melon…!
Të urojmë e shpresojmë që ky aksion me goditje të përqendruar, që filloi më 6 korrik 2025, të vazhdojë sa më gjatë! Të paktën, deri më 6 korrik 2026 apo, idealja deri më 6 korrik 2029… Edhe që të vazhdojë si dy ditët e para, pa i ndarë lokalet dhe pronarët e tyre në të “nënës” e në të “njerkës”, të “mikut” apo “të armikut”, të “pozitës” e të “opozitës”…! Por, edhe që të mos mbetet gjysmak apo çyrykas, siç dukej në Tiranë më 8 korrik në disa lokale jo vetëm tek “Pazari i Ri”, duke hequr vetëm çadra e tenda dhe duke lënë në trotuare e rrugica plot tavolina e karrige, nën diell e shi…! Gjithashtu, me një dozë humori, të shpresojmë dhe urojmë që kryeministrit të mos u kundërvihen me protesta masive si Vuçiçit në Serbi, për këtë vendim dhe veprim pozitiv jo pak “të majtë” e votues të tij të symbylltë! Vërtetë këta e kanë shprehur edhe hapur e marrëzisht se nuk duam as ujë e as drita; as ajër të pastër nga flakët, tymrat dhe helmet e plehrave e të betonit; as rritje pagash e pensionesh; as gjellë e as bukë, as 1 javë pushime në plazhet e vendit, më shumë metra katrorë hapësira publike… vetëm që Edi Rama të mbetet përjetësisht në fron e njësh në qeveri! Por, nuk duhet harruar edhe mësimi apo këshilla: “Beso e bëji sytë katër dhe sa më lart vigjilencën revolucionare”!
Zoti në qiell e bota në Bruksel dhe Uashington dëgjojnë, nuk u besojnë veshëve dhe mbeten të pamend e gojë! Disa pyesin edhe vetveten e të tjerë më të afërt e më të besuar: si është e mundur që këta frymorë me pamje njerëzore të arrijnë deri në këtë cak apo çmenduri! Si mund “të harrojnë” apo të falin mungesat jetike, vuajtjet fizike e shpirtërore; gjyshërit e baballarët e vrarë, burgjet, tollonat, radhët e gjata pak pas nga mesnata… ferrin që kanë jetuar për 80 vjet…?! Si mund të duan më tepër kryetar e parti se sa vendin, veten, familjen, fëmijë…?! Megjithatë, ka edhe jo pak socialistë e të majtë që kanë pasur e kanë guxim qytetar t’ia shprehin edhe drejtpërdrejtë kryeministrit vërejtjet, kritikat, ankesat dhe kërkesat e tyre jo vetëm individuale. Plot prej këtyre, së bashku edhe me qytetarë të djathtë apo opozitare mund të bashkojnë zërat e t’i bëjnë kryeministrit të tyre të zemrës dhe votës, edhe plot pyetje, me piper e spec! Disa prej këtyre pyetjeve mund të jenë këto: ku ishit gjithë këto vite ti, zoti kryeministër si dhe kryebashkiakët me vartës, kur u pushtuan, kryesisht në zbatim të ligjeve të paligjshëm “të të fortit”, “të bosit mbi bashki, qeveri, shtet…”, apo të “njeriut tonë”, kaq shumë hapësira publike? Cilët u dhanë leje e mundësi të kenë energji elektrike dhe ujë?! Cilët zyrtarë bashkiakë, nga IKMT… “i kanë kontrolluar”, apo i kanë vizituar gjatë të paktën 10 viteve sa për një “kafe me shumë sheqer”…?! Përse e latë këtë aksion me goditje të përqendruar 55 ditë pas “sfilatës” zgjedhore të 11 majit 2025? Pas këtij “spektakli” të radhës me hapësirat publike, shumica e popullit shpresojnë dhe presin që kryeministri të kujtohet se duhet të mendojë dhe bëjë shumë më tepër e drejtpërdrejtë për jetesën e shumicës së popullit, për të përmirësuar ndjeshëm interesat e tyre jetike të përditshme e jo më 2030, 2040, 2025…!
Domethënë, për mirëqenien, pagat dhe pensionet e tyre, sidomos të ushtrisë prej rreth 515 mijë pensionistësh që mbijetojnë me rreth 199.5 euro në muaj dhe të rreth 100 mijë të tjerëve, që janë më fatlumë, me 200-300 euro! Apo, afërsisht sa merr një fëmijë nga 0-18 vjeç në Gjermani, rreth 265 euro në muaj! Pastaj, që nën përkujdesjen e tij individuale dhe institucionale e me levat e tjera të vartësisë kryeministrore, të fillojë një kontroll i rreptë dhe masiv, qysh në vendet e prodhimit, të grumbullimit, magazinimit, zhdoganimit… për cilësinë edhe çmimet e çmendur e që ngjiten vetëm lart edhe për ditë e më çmendurisht, të ushqimeve, të ilaçeve, klinikave dhe laboratorëve mjekësore, të artikujve të higjienës dhe kozmetikës, të pajisjeve dhe shërbimeve shtëpiake… etj., etj.! Sepse, siç duhet ta dijë edhe kryeministri, individualisht, familjarisht dhe institucionalisht, shumica e ushqimeve dhe e ilaçeve janë prodhime për Shqipëri e për shqiptarë!? Apo për “shtëpinë time” dhe për “treg”, për blerës, të njohur e të panjohur. Më e keqja, edhe pse janë me çmime shumë të lartë, sidomos pas “fitores historike” të 11 majit 2025, janë me doza kancerogjene e vrastare kimikatesh dhe përbërësish të tjerë, që vështirë se gjendet laborator në vend, me ua gjet llojin dhe emrin, siç ka ndodhur edhe me disa gjase prodhues dhe gjasë tregtarë të vajit të ullirit…! Përveç këtyre, kryeministrit tonë halleshumë i duhet të mendojë edhe për premtime të harruara 80-vjeçare, si ato për furnizim të pandërprerë me ujë e dhe energji elektrike gjatë 24 orëve, 30-31 e 365 ditëve, edhe për ato të freskëta fare, shumica lëshuar si tullumbace gjatë fushatës së zgjedhjeve allashqiptarçe të 11 majit 2025.
Meqenëse nuk është i dobët në aritmetikë, kryeministri ynë katër, e kupton fare lehtë e mirë se duke ua rritur pakëz apo me pikatore shurupi apo antibiotiku të lëngshëm pensionet ushtrisë rreth 600 mijëshe të pensionistëve me pensione minimale dhe mesatare, do të ndihmonte apo do t’ua mundësonte rreth 51% të familjeve shqiptare të kalonin nga ëndrra në realitet dhe përjetim konkret që të mendonin për të bërë pas kaq shumë vitesh 1 javë pushime verore në plazhet më të lira të Shqipërisë! Pra, jo në hotelet me 200-700 euro nata, ku shkojnë familjarisht ministra e ministresha apo ishpushtetarë të niveleve të lartë e të mesëm të Rama-parti-qeverisë dhe bosë të drejtësisë, të gjykatave e prokurorive, klinikave dhe spitaleve…! Kështu, kryeministri dhe partia e tij prej 20 vitesh e futur në një nga xhepat e tij të shumtë, ngjashëm si shamia, do të fitonte më shumë dashuri, mirënjohje, mbështetje, vota… Përse jo, deri tek 99.999% prej tyre, për mandatin e 5-të, të 6, të 10 apo deri sa të ketë dëshirë dhe jetë. Edhe do të lehtësohej nga dyshimi i jo pak qytetarëve se ai mendon më shumë se për njerëzit, për të shtuar metrat katrorë në hapësirat publike; numrin dhe katet e pallateve e të kullave; shifrat e patronazhistëve e të turistëve, më së shumti konsumues qoftesh, byrekësh, sufllaqesh, picash… me çmime për shqiptarë varfanjakë… Por, edhe nga dyshimi jo krejt i pabazuar apo i fantazuar se kryeministri ynë e lodh shumë trurin e tij edhe për rritjen e vazhdueshme e sa më të shpejtë të shifrës së “investitorëve strategjikë” shqiptarë, kinezë, turq, serborusë, grekë, arabë, amerikano-izraelitë…, duke i joshur me faljen ose shitjen fare lirë të copave toke dhe detesh Shqipërie! Edhe të inceneratorëve funksionalë apo vetëm si ide e projekte nëpër dosje e që, më shumë e ndotin se sa e pastrojnë ambientin, ajrin, ujin, prodhimin e fushave e të kodrave përreth… Pra, na mbetet të mbajmë sytë nga Surreli e nga qielli që të na bien në këtë vapë saharajane si rrebeshet e shiut dhe rrymat e freskëta të majë maleve edhe të mirat e reja kryeministrore e qeveritare, për jetesë më të mirë njeriu…!
Edhe sa më afër standardit të jetesës që bëjnë qentë dhe macet në shumicën e familjeve të oligarkisë dhe të “borgjezisë së re” komuniste, socialiste, demokratike si dhe të bosëve të gjithfarëlloj biznesesh, trafiqesh, punërash…! Pra, kryeministri ynë mbi 12-vjeçar, ju lutemi të gjeni kohë të lirë që të mendoni e bëni pakëz më shumë, sa janë akoma në Shqipëri e në këtë jetë, për njerëzit e thjeshtë apo të varfër! Sidomos, që t’i mbash sa më shumë prej tyre në mosha të reja e të aftë për punë si dhe me diploma universitetesh shqiptare dhe të SHBA-ve e të vendeve të Evropës Perëndimore, në shtëpitë e veta e në Shqipëri, pranë prindërve e për të mos ikur emigrantë në vende të Perëndimit, në Itali Gjermani, Angli…, duke ua lënë Shqipërinë, në mplakje e mpakje të pandalshme dhe lemeritëse, afrikanëve dhe aziatikëve! Në fund fare, po gjete kohë të lirë, mendo pakëz më shumë edhe për shqiptarët në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Greqi e nëpër botë! Edhe për t’ua lehtësuar hallet e veta, edhe për t’i lumturuar, duke e bërë Shqipërinë siç e kanë dashur rilindësit e parë, të mëdhenj e të vërtetë e siç e duan të gjithë sa janë gjallë, në këtë botë e në këtë jetë! Pra, edhe për të mos mbetur edhe 80 vjet të tjerë, siç e duan serbë e grekë…!