Koncesioni i aeroportit të Vlorës “në hetim paraprak” nga SPAK

Projekti kontrovers i Aeroportit të Vlorës, i cili pritet t’u kushtojë taksapaguesve rreth 138 milionë euro ndërsa rrezikon në mënyrë thelbësore zonën natyrore të mbrojtur të Lagunës së Nartës, është vendosur nën hetim nga SPAK, bëhet e ditur nga regjistri i kërkesave dhe përgjigjeve për të drejtë informimi publikuar nga ky institucion së fundmi. Në regjistër shënohet se një qytetar, emri i të cilit nuk jepet për arsye të mbrojtjes së të dhënave personale, ka pyetur SPAK nëse ka një hetim mbi këtë kontratë koncesionare, nëse ky hetim është nisur kryesisht apo në bazë të një kallëzimi, si dhe në çfarë faze gjenden hetimet.
“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar procedim penal në lidhje me kontratën koncensionare të Aeroportit të Vlorës. Ky procedim është në në fazën e hetimeve paraprake”, thuhet në përgjigjen e publikuar.
Aeroporti i Vlorës po ndërtohet me një kontratë koncesionare të financuar nga taksapaguesit shqiptarë brenda zonës së mbrojtur të Nartës në jug të Shqipërisë. Kontrata për ndërtimin u fitua nga një konsorcium i udhëhequr nga biznesmeni Behgjet Pacolli me një kompani turke, e cila plotësonte kriterin e pasjes së eksperiencës në ndërtim aeroportesh në procesin e prokurimit. Kompania turke gjithsesi u tërhoq dhe shiti aksionet e kontratës për një çmim minimal prej 4450 eurosh.
Sipas kontratës, taksapaguesit do të paguajnë përgjatë trembëdhjetë viteve rreth 138 milionë euro, pavarësisht nëse projekti i aeroportit del me leverdi apo jo.
Ligjshmëria e dhënies së kontratës së koncesionit dhe e lejes së ndërtimit është në pikëpyetje pasi ligji për Zonat e Mbrojtura nuk lejonte zhvillime të tilla në kohën kur u miratua projekti.
Përveç cënimit të mjedisit, projekti ka pikëpyetje të mëdha për shkak se studimi i fizibilitetit nuk ka dalë në konkluzionin se ky aeroport do të ketë apo jo fluturime, do të ketë apo jo një numër të mjaftueshëm udhëtarësh për të justifikuar kostot.
Një aeroport tjetër, ai i Kukësit, u hap me sponsorizim të fortë politik nga kryeministri Edi Rama ndërsa aktualisht është pa punë pasi nuk ka mjaftueshëm njerëz për të fluturuar në të.
Aeroporti i Vlorës është vetëm 100 kilometra larg aeroportit ekzistues të Tiranës.