Martini “fsheh” kuqeblutë, stërvitje e blinduar për Vllazninë në Golem
Vllaznia është në përgatitjet e fundit para debutimit zyrtar në sezonin 2025-’26, ku shkodranët do ta “çelin” edicionin me ndeshjen e “Conference League” përballë Daugavpils. Ekipi nga Letonia, ndaj të cilit do të ndeshen ditën e enjte në orën 20:00, në stadiumin “Elbasan Arena”.
Pikërisht para këtij dueli, serioziteti dhe përqendrimi është maksimal në kampin kuqeblu. Kjo dallohet edhe nga stërvitja e ditës së hënë, të cilën 9 herë kampionët e vendit e kanë zhvilluar në fushën e stadiumit “Loro Boriçi”. Kështu, Vllaznia ka vendosur të zhvillojë këtë seancë stërvitore me dyer të mbyllura dhe larg syve kureshtarë.
Ndryshe nga herët e tjera ku skuadra e drejtuar nga Martini i ka zhvilluar seancat stërvitore në fushën sportive të Golemit, e shoqëruar edhe nga dhjetëra tifozë që kanë ndjekur çdo ditë seancat dhe zhvillimet e fundit tek shkodranët. Por, kësaj radhe, trajneri Martini si një “fanatik” për të “mbrojtur” ekipet që drejton, ka vendosur ta lërë në “qetësi” ekipin. Duke mos preferuar të ketë të pranishëm tifozët, por as median në seancën e parë stërvitore të kësaj jave.
Kjo lëvizje patjetër është bërë që skuadra të jetë larg “presionit” dhe ta përgatisë duelin europian me qetësi. Gjithsesi, nga sa bëhet e ditur, seanca ka qenë e plotë, por jo me një ritëm të lartë. Ku më së shumti janë preferuar lojërat me top dhe vendosjet taktike në fushën e lojës. Teksa edhe grupi i futbollistëve ka qenë totalisht i gatshëm nën urdhrat e trajnerit shkodran dhe momentalisht te Vllaznia nuk ka asnjë mungesë para ndeshjes të së enjtes.