Zjarri në Landfillin e Elbasanit – Arben Cara: Vatër masive, u deshën tonelata dhera dhe shkumë për të shuar flakët, zjarrfikësit u vunë në vështirësi
Drejtori i Përgjithshëm i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, Arben Cara, deklaroi mbrëmjen e sotme në emisionin “Log.” në News 24 se zjarri në landfillin e Elbasanit ishte një nga më të mëdhenjtë dhe më të vështirët e viteve të fundit, duke kërkuar ndërhyrje intensive për plot 7 ditë.
Sipas tij, flakët përfshinë një sipërfaqe të madhe dhe për përballimin e situatës u angazhuan zjarrfikës dhe mjete nga disa bashki, përfshirë Elbasanin, Librazhdin, Peqinin, Cerrikun, Tiranën dhe Beratin.
“Na u desh të vepronim për disa ditë, 7 ditë mund të themi që u izolua plotësisht vatra e zjarrit por që është punuar me të gjitha format.” tha Cara.
Ai theksoi se zjarri ishte i një natyre komplekse, për shkak të përbërjes së mbetjeve në landfill, duke përfshirë materiale kimike dhe plastikë, çka krijonte një zjarr të “mbytshëm”, që kërkonte teknika të avancuara për shuarje.
“Agjensia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka vënë në dispozicion pompa me kapacitet të lartë për ta na mundësuar furnizimin e automjeteve me ujë nga Shkumbinin dhe një rezervuar që ishte aty pranë,” shtoi drejtori i MZSH-MB.

Arben Cara: Pas marrjes së informacionit në numrin 128 salla e zjarrfikësve kanë vënë lëvizje shërbimin zjarrfikës të Elbasanit ku edhe mbulohet edhe landfilli.
Menjëherë është kërkuar ndihmë nga bashkitë fqinje, Librazhdi, Peqini dhe Cerriku. Janë vënë në lëvizje duke u koordinuar nga ana jonë si drejtori e përgjithshme të gjitha automjetet, forcat operacionale të MZSH.
Më pas është kërkuar ndihme edhe nga bashki të tjera siç është Tirana dhe Berati me disa mjete më të avancuara më të reja që kanë bërë një punë jashtëzakonisht për eliminimin e vatrës së zjarrit.
Fillimisht është ndërhyrë me mjete zjarrfikëse me ujë dhe shkumë kimike për të ulur intensitetin e temperaturave por edhe për t’i hequr oksigjenimin zjarrit. Më pas është kërkuar nga ana jonë që me ndihmën e mjeteve të bashkisë që të na mundësonte të na sillte kamionë me dhe dhe inerte të lumit për t’i hequr oksigjenin zjarrit, pasi kuptohet kishim të bënim me një zjarr mbytës, me një zjarr me kimikate të ndryshme dhe plastikë.
Landfilli kërkonte një masiv të madh me dhera, tonelata dhera por edhe shumë kilogramë shkumë.
Na u desh të vepronim për disa ditë, 7 ditë mund të themi që u izolua plotësisht vatra e zjarrit por që është punuar me të gjitha format.
Agjensia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka vënë në dispozicion pompa me kapacitet të lartë për ta na mundësuar furnizimin e automjeteve me ujë nga Shkumbinin dhe një rezervuar që ishte aty pranë. Ishte vatër e madhe masive dhe zjarrfikësit u vunë në vështirësi për ta izoluar.